Thaçi Pritet si President dhe e Thumbon Ramush Haradinajn

E publikuar: 08/02/2016 21:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kreu i PDK-së shpalos kandidaturën presidenciale para elektoratit të tij në Pejë.

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, ka premtuar sot nga Peja se si President i vendit “do t’i shërbejë forcimit të shtetit dhe të gjithë qytetarëve”.
Premtimi i Thaçit erdhi gjatë takimit që ai dhe strukturat e larta të partisë patën me qytetarë në Pejë, në të cilin Thaçit i qe rezervuar një “pritje presidenciale”.

“Mirë se erdhe President” ishte baneri i vendosur në ballë të tavolinës ku Thaçi qëndronte ulur bashkë me zëvendësin e tij në parti, Kadri Veselin dhe zyrtarë tjerë partiakë.

Kryetari i degës së PDK-së, Xhavit Haliti, tha janë mbledhur për të diskutuar për atë që, siç tha ai, do vendoset në krye të shtetit të Kosovës.

“Kemi ardhur që vërtetë ta prezantojmë atë që duhet ta zgjedhim, atë që do ta zgjedhim dhe atë që do vendoset në krye të shtetit si gardian i parë i mbrojtjes së kushtetutës i mbrojtjes së pavarësisë së Kosovës”, tha Haliti në fillim të tubimit.

Takimet e shpeshta të PDK-së me degët e saj nëpër Kosovë, kanë të bëjnë me 16 vjetorin e themelimit të këtij subjekti, tha nënkryetari i parë i saj, Kadri Veseli.

Ai e krahasoi Thaçin me Ismail Qemalin.

Kreu i Kuvendit të Kosovës u bëri thirrje partive opozitare që t’i kthehen institucioneve dhe përmes dialogut të zgjidhen mosmarrëveshjet dhe të heqin dorë prej dhunës dhe ofendimeve.

“Me dhunë, me fyerje, me shantazhe nuk mund të arrihet të qeveriset shteti”, theksoi Veseli.

Ai tha së kanë mbetur edhe pak ditë kur do zgjidhet “në mënyrën me demokratike të mundshme” Presidenti i ri i vendit nga Kuvendi i Kosovës.

“Do ta kemi shumë shpejt Presidentin e Republikës së Kosovës dhe ai ju gjithë e dini se kush është, ja ku e keni, Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçin”, tha ai.

Ndërsa vetë Hashim Thaçi kandidati i PDK-së për President të Kosovës,gjatë fjalimi të tij nuk foli shumë për zgjedhjen e tij në krye të shtetit por me shumë me kauzën politike të krijuar, sipas tij, nga opozita.

I pari i PDK-së tha se pushteti duhet të merret përmes votës së lirë e jo përmes veprimeve që, sipas tij, nuk janë në përputhje me demokracinë.

Thaçi ka folur edhe për marrëveshjen në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ai tha se në vitin 2013 pjesë e ekipi për bisedime ka qenë edhe AAK-ja e cila tani po i kundërshton marrëveshjet e arritura.

“Marrëveshjen e prilli 2013 që unë e kam nënshkruar në Bruksel, Parlamenti i Kosovës e ka ratifikuar me 2/3 e votave, duke përfshirë PDK-në, Aleancën që ishte e zjarrtë në atë kohë në mbështetje të këtij dialogu dhe Lidhja Demokratike e Kosovës që veproi në mënyrë të përgjegjshme dhe institucionale“ tha Thaçi.

Sipas kreut të PDK-së, Asociacioni i Komunave Serbe buron nga pako e Ahtisarit dhe marrëveshjes së prillit të vitit 2013.

Kurse për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin e Komunave Serbe, Thaçi tha së është mirëpritur dhe duhet respektuar.

“I ftojmë edhe tjerët ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetueses. Asociacioni nuk është marrëveshje, elemente parimore mund të themi për themelimin e këtij Asociacioni”, u shpreh Thaçi duke shtuar së nuk do të ketë kompetenca ekzekutive ky asociacion i komunave serbe.

Kurse për temën e Demarkacioni, nënshkruesi i marrëveshjes së saj me Malin e Zi, tha së nuk do të sillet në Kuvend për t’u ratifikuar pa u detajuar “secili centimetër i territorit të shtetit të Kosovës”. Thaçi kërkoi nga qytetarët që t’i sjellin të gjitha dokumentacionet nëse prona e tyre është dëmtuar gjatë demarkacionit.

Ai ka thumbuar kreun e AAK-së për të cilin tha së vazhdimisht ka kundërshtuar këtë marrëveshje, kur tha se sot në takim të Presidentja me liderët e partive politike “as që e përmendi” këtë çështje.

“Në ora nëntë në mëngjes e kemi filluar takimin e liderëve politikë dhe zhurmaxhiu i kësaj çështje të jeni të bindur me procesverbal të takimit as që e ka ngritur si shqetësim çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, por vetëm agjendën elektorale”, tha ai.