Thaçi në Berlin: Gati për finalen e dialogut – Marrëveshjen e Pajtimit

E publikuar: 09/05/2018 18:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i vendit Hashim Thaçi në takimin e tij me kancelaren gjermane Angela Merkel ka shpalosur synimet që Kosova ka për fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë.

Në konferencën e tij të mbajtur në Berlin, Presidenti Thaçi tha se Kosova është e gatshme që të nis kapitullin përfundimtar për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, njofton Klan Kosova.

”Kosova dhe qytetarët e saj janë gjithnjë mirënjohës ndaj popullit gjerman. Kosova është e interesuar për rritje të investitorëve”.

‘Duke integruar në Bashkimin Europian dhe NATO, Kosova është rasti më i suksesshëm në botë ku Gjermania ka luajtur rol të rëndësishëm”.

”Është jetike që Kosova dhe Serbia t’i normalizojnë raportet ndërshtetërore. Prandaj porosia ime si President i Kosovës për shtetin gjerman është se ne jemi gati si Kosovë të hapim këtë kapitull përfundimtar të bisedimeve me Serbinë”.

”Faza përfundimtare përkon me bisedimet për të arritur marrëveshje obligative për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi”.

”Nuk do të jetë e lehtë as për Kosovën e as për Serbinë. Nuk ka rrugë tjetër për të ecur përpara për Kosovën e as për Serbinë. Duhet të gjejmë një mënyrë që përmes dialogut t’i japim fund mosmarrveshjes”.

”Marrëveshja mes Kosovës e Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke sepse kjo do t’i hap të gjitha rrugët për Bashkimin Europian”.

”Bashkimi Europian duhet të luaj rolin e vet ndërmjetësues edhe gjatë fazës përfundmitare”.

”Procesi i Berlinit i ndërmjetësuar nga kancelaria Angela Merkel ka dhënë perspektivë për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Shpresoj që Samiti i Sofjes të jetë hap konkret për këto vende”.