Kosova do të përfshihet në rrjetin ndërkombëtar të gazit

E publikuar: 01/03/2016 09:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këshilli i Ministrave i Energjisë së Korridorit Jugor të Gazit, pjesë e të cilit është edhe gazsjellësi TAP, i ka dhënë mbështetje projektit të gazsjellësit Joniano-Adriatik, që do të lidhë Shqipërinë me Malin e Zi, Bosnjën, Kroacinë, por edhe me Kosovën, shkruan sot Koha Ditore.

Mbështetja e projektit IAP dhe degëzimit të tij në Kosovë është dhënë në deklaratën përfundimtare në takimin e dytë të Këshillit të Ministrave të Energjisë, që zhvilloi punimet në Baku të Azerbajxhanit, ku mori pjesë edhe ministri i Energjisë e Industrisë i Shqipërisë, Damian Gjiknuri.

Në takim merrnin pjesë edhe ministrat e Azerbajxhanit, Bullgarisë, Gjeorgjisë, Greqisë, Italisë, Turqisë, Kroacisë, Malit të Zi dhe Britanisë së Madhe.

Të pranishmëve iu drejtuan me përshëndetje të rastit presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, përfaqësuesi i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit për Energjinë, Amos J.Hochstein, zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Matros Sevçoviç dhe përfaqësuesja e lartë për Politikën e Jashtme në Bashkimin Evropian, Federica Mogherini.