Teuta Rugova demanton Mustafën se atyre po u bëhet presion nga Haradinaj

E publikuar: 21/07/2017 17:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja e LDK’së Teuta Rugova, në një mënyrë e ka demantuar kreun e partisë Isa Mustafa, pasi ky i fundit tha se familja e saj i është nënshtruar presionit politik, veçanërisht pas vizitës së sotme të Haradinajt në rezidencën e ish presidentit tashmë të ndjerë Ibrahim Rugova.

Mustafa, pas takimit që ka mbajtur sot me kryetarët e degëve nga LDK-ja, e ka cilësuar si presion, vizitën e Ramush Haradinajt në familjen e presidentit. Madje ai ka bërë thirrje që presionet ndaj kësaj familje të ndalen.

Por, vizitën e Haradinajt atje, nuk e sheh në këtë kënd, Teuta Rugova. Ajo vazhdimisht në dy statuset e saja të shkruara sot në Facebook e ka shprehur mbështetjen ndaj Haradinajt dhe bashkëpunimin, siç e quan ajo shumë të ngushtë të Ramush Haradinajt me babain e saj, Rugovën.

E pas deklaratave të Mustafës për presion ndaj tyre, Teuta Rugova në një deklaratë dhënë për ‘Indeksonline’, u ka bërë thirrje strukturave udhëheqëse të LDK-së se bashkëpunimi me Haradinajn duhet të vazhdojë.

“E shfrytëzoj edhe njëherë rastin që t’i bëj thirrje publike si deputete e zgjedhur e LDK-së, të gjitha strukturave udhëheqëse të LDK-së që nuk bën të injorohet fakti i bashkëpunimit të ngushtë që ka pasur babai im, Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova me z. Ramush Haradinaj”, është shprehur ajo.