Tërmet në Meksikë

E publikuar: 19/09/2017 23:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një tërmet prej 7.1 shkallësh e goditi të martën Meksikon duke rrënuar ndërtesa dhe duke lënë nën gërmadha shumë njerëz. Autoritetet thanë se të paktën 49 veta kanë humbur jetën.

Presidenti Enrique Pena Nieto, tha se 27 ndërtesa u rrënuan në Mexico City, një nga qytetet më të populluara në botë.

Në shtetin Morelos, në jug të kryeqytetit humbën jetën 42 veta tha guvernatori Graco Ramizez. Autoritete thanë se viktima ka edhe në Puebla në rrethinën e së cilës vlerësohet të jetë edhe epiqendra e tërmetit.

Tërmetet që kalojnë mbi 7 shkallë vlerësohen si të rënda dhe me fuqi të madhe shkatërruese.

Presidenti amerikan, Donald Trump, shkroi në rrjetin twitter; “Zoti i bekoftë qytetarët në Mexico City. Jemi me ju dhe do të jemi aty për ju”.

Në kryeqytet me rrethinë jetojnë rreth 20 milionë banorë. Në Cuernavaca, një qytet në jug të kryeqytetit pati njoftime të pakonfirmuara për banorë që kanë mbetur nën gërmadha.