Surroi: Taksa s’mund të shërbejë më si arsyetim për konfliktet e brendshme politike në vend

E publikuar: 19/03/2020 16:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Taksa 100 për qind nuk mund të shërbejë si arsyetim për konfliktet e brendshme politike në Kosovë, aq më pak për mocion rrëzimi të Qeverisë”.

Kështu ka thënë publicisti dhe shkrimtari, Veton Surroi, i cili ka bërë një përmbledhje të zhvillimeve të fundit politike në vend rreth taksës, diplomacisë dhe platformës qeverisëse LVV-LDK.

Në një postim të tijin në Facebook, Surroi thotë se presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, dje, gjatë një bisede me kancelaren gjermane, Angela Merkel, ia ka shprehur gatishmërinë asaj që të fillojë negociatat me Kosovën, me ndërmjetësimin e BE-së për taksën 100 për qind brenda temës më të gjerë, asaj të barrierave jotarifore mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo do të thotë se bie poshtë parakushti të cilin e vendosi Serbia se duhet të hiqet taksa në mënyrë që Serbia dhe Kosova të rikthehen në tryezën e bisedimeve. Ky ishte njëherësh parakushti i formuluar, në këtë apo forma të tjera, nga SHBA, BE dhe vende të ndryshme evropiane. Formulimi ishte, ‘hiqni taksat, kthehuni te tavolina’. Formulimi tash është ‘uluni në tavolinë, hiqni taksat dhe çdo barrierë tjetër jotarifore’”, thotë Surroi.

Ai thotë se për Kosovën, kjo është me rëndësi sepse mund të ngre në tryezë të gjitha problemet që ekzistojnë në marrëdhëniet tregtare mes Kosovës dhe Serbisë, e në të cilat pengesa themelore janë barrierat jotarifore.

“Pra, në këtë tryezë, Kosova mund të parashtrojë kërkesat e saj për barazi në marrëdhënie tregtare, reciprocitet. Që do të thotë se për të dyja vendet vlen parimi i njëjtë: do të ketë aq liri qarkullimi për mallrat e një vendi sa ka për mallrat e vendit tjetër”, potencon shkrimtari Veton Surroi.

Më tej, ai thotë se për Kosovën, ky është edhe një rikonfirmim i politikës së dakorduar mes partnerëve të koalicionit, LVV-LDK (në marrëveshjen e koalicionit dhe në programin qeverisës) se taksa zëvendësohet në proces me vendosje të masave të reciprocitetit.

“Për ta formalizuar këtë stad të negociatave, Republika e Kosovës duhet të shprehë gatishmërinë se do të hyjë në to. Taksa 100 për qind nuk është më parakusht në marrëdhëniet negociatore mes Serbisë e Kosovës, pra nuk duhet të jetë as në marrëdhëniet mes BE-së dhe Kosovës dhe SHBA-ve e Kosovës”, theksoi shkrimtari e publicisti Veton Surroi.