S’ka marrëveshje për urën mbi Ibër – palët takohen sërish të hënën

E publikuar: 17/06/2015 21:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në takimin e sotëm të zhvilluar mes grupeve punuese nga Kosova dhe Serbia në Bruksel mbi gjetjen e një zgjidhjeje për urën mbi lumin Ibër, palët nuk kanë arritur pajtim.

Kryesuesi i takimit, shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Samuel Zhbogar, ka paraqitur idenë për zgjidhjen e kësaj çështjeje, mirëpo palët janë pajtuar që të takohen sërish të hënën për të diskutuar sërish mbi këtë çështje.

“EEAS ka pritur sot palët e angazhuar në dialogun Beograd – Prishtinë në Bruksel për të diskutuar mbi lirinë e lëvizjes si dhe gjetjen e një zgjidhjeje për urën në Mitrovicë. Kryesuesi i grupit punues që diskutoi mbi çështjen e urës (Samuel Zhbogar) paraqiti para të dyja palëve vlerësimin teknik që është bërë së fundmi si dhe sugjerimet për tejkalimin e këtij problemi. Pjesëmarrësit u pajtuan që të takohen sërish të hënën për të diskutuar edhe më tej elementet e një marrëveshjeje që do të parashikojnë revitalizimin e urës në periudhën e ardhshme”, thuhet në njoftimin për media të EEAS, raporton Koha.net.

“Edhe grupet punuese mbi çështjet tjera të ndërlidhura me implementimin e marrëveshjeve të arritura në kontekst të dialogut për normalizim të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës (energjia, telekomi, asociacionin e komunave) do të vazhdojnë punën e tyre këtë javë”, thuhet më tej në këtë njoftim.