Shuhet “Mbrojtja Civile”

E publikuar: 26/03/2015 19:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Kosovës njofton se sot pasdite është arritur Marrëveshja për çështjen e të ashtuquajturës “Mbrojtja civile” me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Me këtë rast Ministrja për Dialogun Edita Tahiri, e cila ka udhëhequr negociatat për këtë çështje ka deklaruar se arritja e kësaj marrëveshje mes tre palëve, Kosovës, Serbisë dhe BE-së e cila është përmbyllur sot pasdite ka një rëndësi të madhe sepse i jep fund strukturës ilegale të ashtuquajtur “Mbrojtja civile” dhe mundëson integrimin e ish-pjesëtareve të sajë në institucionet e Kosovës.

“Procesi i bisedimeve ka qenë gjatë dhe i mundimshëm për gati dy vjet, ndërsa në periudhën e fundit shkurt-mars të këtij viti negociatat janë zhvilluar në mënyrë bilaterale, mes BE-së dhe të dy shteteve dhe fundi ishte i suksesshëm, rezultoi me marrëveshje të nënshkruar nga tre palët”, thuhet në një komunikatë për media të Qeverisë së Kosovës.

Marrëveshja në fjalë parasheh procesin e zhbërjes së kësaj strukture paramilitare dhe procesin e integrimit të individëve në institucionet civile të shtetit të Kosovës, specifikon obligimet e palëve dhe afatet kohore të zbatimit.

“Marrëveshja parasheh mbylljen e të gjitha objekteve, zyrave dhe depove që kanë qenë në shfrytëzim nga kjo strukturë ilegale në komunat veriore të Kosovës dhe dorëzimin e tyre institucioneve të Kosovës. Kjo marrëveshje duhet të zbatohet deri më 1 shtator 2015”, ka thënë ministrja Tahiri.