Shqipëria do dhurojë vaksina për bluzat e bardha të spitalit COVID të Prishtinës

E publikuar: 01/01/2021 14:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bluzat e bardha të spitalit COVID të Prishtinës do ta fillojnë vaksinimin njëlloj me kolegët e tyre në Tiranë, pasi qeveria shqiptare do t’i dhurojë Kosovës një pjesë të vaksinave antiCovid që ka siguruar nga kompania Pfizer.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në daljen e sotme ku dha lajmin e mirë, theksoi se Kosovës nuk do i kthehet shpina.

“Nuk ia kthejmë shpinën Kosovës, do t’i dhurojmë një sasi për vaksinimin e bluzave të bardha të spitalit COVID të Prishtinës”, u shpreh Rama.

“I hymë detit në këmbë dhe ia dolëm të cekim pak tokë pa asnjë ndihmë nga BE dhe ndryshe nga shembulli i keq i BE-së ndaj Ballkanit ne nuk do ia kthejmë shpinën Kosovës duke e lenë në pritjen dhe në ankthin torturues të fillimit të vaksinimit”, theksoi Rama.

Padiskutim, vijoi kryeministri, “nuk ia zgjidhim dot krejt këtë hall të madh vëllezërve dhe motrave tona në anët tjetër të kufirit, por nuk do ngurrojmë t’ua qajmë sinqerisht dhe konkretisht hallin që sapo kemi filluar të zgjidhim për vete”.

“Kosovës do t’i dhurojmë një sasi për vaksinimin e bluzave të bardha të spitalit COVID të Prishtinës në mënyrë që heronjtë e vijës së zjarrit në Kosovë ta nisin vaksinimin në të njëjtën kohë me heronjtë tanë në Tiranë”, tha ai.

Rama informoi se i ka kërkuar ministres së Shëndetësisë të komunikojë menjëherë me homologun në Kosovë për të mundur të vendosim sasinë e mundshme për personelin e spitalit COVID të Prishtinës.

“Sado nuk jemi të pasur e as nuk e kemi kaluar këtë det ku vazhdojmë të ecim në këmbë, ne shqiptarët nuk e kemi pasur traditë, nuk mund ta kemi dhe nuk duhet ta kemi pjesën në mënyrën e të jetuarit as në këtë botë egoiste, kthimin e shpinës ndaj tjetrit në nevojë apo kur na bie i njëjti hall me tjetrin”, tha kryeministri Rama.