Shpërthim vetëvrasës në Kabul

E publikuar: 27/01/2018 15:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një shpërthim vetëvrasës me auto-bombë tronditi sot një zonë të mbushur me njerëz pranë një ndërtese qeveritare në Kabul të Afganistanit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Waheed Majroah ka konfirmuar tashmë për mediat lokale se numri i të vdekurve është të paktën 40 ndërsa mbi 140 të tjerë janë plagosur.

Dëshmitarët thanë se tymi i dendur dhe i errët mund të shihej duke u ngritur në qiell nga pjesa qendrore e kryeqytetit pas shpërthimit pranë ndërtesës së vjetër të Ministrisë së Brendshme afgane.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme afgane, Nasrat Rahimi, tha se autori i sulmit përdori një ambulancë të mbushur me eksploziv në një zonë ku civilët ishin mbledhur në një numër të madh.

Raportet e pakonfirmuara, megjithatë, thanë se numri i të vdekurve është shumë më i lartë se sa njoftuan zyrtarët afganë.

Talibanët menjëherë morën përgjegjësinë për sulmin. Një zëdhënës i grupit kryengritës tha se synimi ishte një turmë e personelit të forcës afgane të sigurisë.

Bombardimet vdekjeprurëse vijnë një javë pasi pesë sulmues vetëvrasës të armatosur rëndë sulmuan Hotelin Interkontinental të Kabulit në një pjesë shumë të sigurtë të qytetit. Sulmi vrau të paktën 22 vetë, duke përfshirë 14 të huaj. Të paktën katër amerikanë ishin mes viktimave.