Shfaqen problemet e para tek Samsung Galaxy S6 (Video)

E publikuar: 07/03/2015 16:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Samsung Galaxy S6 është pajisja më e fundit e prezantuar nga Samsung, dhe, edhe pse testimet e ndryshme kanë treguar që është një telefon shumë i mirë, si duket ka disa probleme të vogla me pajisjen që vetëm përditësimi i softuerit mund t’i rregullojë.

Sipas një raporti nga G For Games, që citon një raport tjetër nga Koreja e Jugut, janë shfaqur probleme tek hardueri i Galaxy S6 që ndikojnë tek ekrani. Më saktësisht, problemi lidhet me anësoret e Galaxy S6 të cilat nuk i regjistrojnë prekjet. Edhe pse pjesa më e madhe e të dhënave shfaqen në qendër të ekranit, ka edhe aplikacione që kërkojnë ndërveprim nga anësoret, si për shembull vizatimi i një pikture.

Videoja e mësipërme demonstron këtë problem. Siç mund ta shihni edhe në video, anësoret e telefonit nuk reagojnë nga prekjet e përduruesit ndërkohë që ai po përpiqet të ngjyrosë ekranin me të zezë. Problemi ka prekur më shumë Galaxy S6 sesa Galaxy S6 edge.

Samsung nuk ka dhënë akoma një deklaratë mbi këtë problem, duke qenë se Galaxy S6 nuk ka dalë akoma në shitje, por shpresojmë se kompania do të ketë kohë për ta rregulluar problemin.