Scott kundër ndryshimit të kufijve: Nuk pranojmë krijimin e shteteve etnike

E publikuar: 18/10/2018 18:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scott, sot është shprehur qartë se SHBA-ja është kundër idesë së Hashim Thaçit për shkëmbim të territoreve dhe prekjes së kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
‘Ideja për krijimin e shteteve etnikisht të pastra në Ballkan është jo reale dhe e rrezikshme. Kudo që të shënohet kufiri, pres që të dy shoqëritë të mbesin multietnike”, ka thënë Scott, për javoren serbe NIN, transmeton Gazeta Express.

Diplomati amerikan ka thënë se nuk ka vija të kuqe sa i përket kësaj çështje megjithatë ka potencuar se SHBA-ja nuk e pranon çfarëdo marrëveshje.

Lidhur me këto deklarata ka folur presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili ka thënë se i respekton qëndrimet e ambasadorit Scott, megjithatë sipas tij Serbia ka pikëpamjet e veta në këtë çështje.

Vuçiq këtë përgjigje e ka dhënë duke thënë se nuk e ka lexuar këtë intervistë të ambasadorit Scott.

Kundër idesë së shkëmbimit të territoreve dhe lëvizjes së kufijve ka dalë sot edhe top-diplomatja gjermane, Sabine Stohr.

“Pozicioni i Gjermanisë është i pandryshueshëm, në jemi kundër shkëmbimit të territoreve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Sepse analizat tona tregojnë se një gjë e tillë nuk dërgon në një zgjidhje të qëndrueshme për të gjitha komunitetet”, ka thënë Sabine Stohr, shefe e Divizionit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë.

Ditë më parë krerët e shtetit serb kishin lëshuar disa deklarata të ashpëra në drejtim të ambasadorit amerikan, Scott, i cili kishte thënë se Republika e Kosovës është një shtet i pavarur dhe sovran.