SBASHK nuk tërhiqet. Nesër s’ka mësim në Kosovë!

E publikuar: 28/04/2015 16:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sindikata e Bashkuar e Arsimit në Kosovë nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga planifikimet e saja për mbajtjen e grevës për ditën e nesërme në të gjithë arsimin kosovarë.

Ndonëse Ministria e Arsimit dhe ajo e Financave gjatë ditës së sotme i bëri thirrje SBASHK-ut që të tërhiqet nga grava e nesërme, këta të fundit janë të vendosur që grevën ta vazhdojnë sipas programit të paraparë.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë për Indeksonline se greva do të shkojë sipas planifikimit të Këshillit Drejtues të SBASHK-ut. Në orën 8 e deri në 12 për arsimin Parauniversitar , ndërsa në universitet nga ora 8 e deri në orën 16.

“Ne grevën do ta mbajmë sipas programit tonë. Te shohim nëse të enjten do të dalin pagat dhe ne automatikisht do ta ndërprejmë grevën”, ka thënë Jasharaj për Indeksonline.

Jasharaj ka bërë të ditur se SBASHK-u beson në unitetin e tij dhe se të gjitha shkollat pritet që ta përkrahin vendimin e SBASHK-ut për pezullim të mësimit për ditën e nesërme.