Rrëfimi i punonjëses për Konsullatën e “paligjshmërive” dhe “argëtimeve”

E publikuar: 05/05/2020 08:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rrëfimi i punonjëses që akuzoi eprorin e saj për sulm fizik shpërfaq shkeljet e shumta brenda objektit ku bashkëjetojnë Ambasada e Kosovës dhe Konsullata e Përgjithshme në Tiranë. Përveç mosmarrëveshjeve mes zyrtares dhe eprorit, që kulmuan në përplasje fizike, rrëfimi e nxjerr Konsullatën si “strehë argëtimesh”.

Një javë pas publikimit të “Kohës Ditore” për incidentin është trashur dosja e pretendimeve për parregullsi në Konsullatën e Përgjithshme në Tiranë, me të cilat është njoftuar edhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD). Punonjësja e Konsullatës, e cila pretendon se është sulmuar fizikisht nga eprori i saj, Halim Krasniqi, ka nisur shkresat e tjera denoncuese në adresë të ministrit Glauk Konjufca dhe Komisionit për Grada dhe Disiplinë, instancë kjo që trajton incidentet më të rënda. Krahas trajtimit të rastit në Kosovë, incidenti është denoncuar edhe tek autoritetet e shtetit shqiptar. Mbështetur në dokumentet që i ka siguruar gazeta, Ministrisë i është kërkuar t’i vërë në dispozicion incizimet e kamerave brenda objektit të Ambasadës së Kosovës në Tiranë, transmeton KOHA.

Frika për zhdukjen e provave ka shtyrë punonjësen që nëpërmjet përfaqësuesit të saj ligjor t’i drejtohet MPJD-së me dy kërkesa. Ka kërkuar të pajiset me një kopje të pamjeve filmike, të regjistruara nga kamerat e sigurisë në Ambasadën e Kosovës, e të cilat i përkasin datës 15.4.2020, ndërmjet orës 10:00 dhe 11:59.

“Ashtu siç ua kam bërë me dije shqetësimin tim tepër të madh, me datën 15.04.2020, midis orës 10:00 AM dhe 11:59 AM, ka ndodhur një akt dhune nga ana e konsullit të përgjithshëm në drejtim timin, duke më tërhequr zvarrë nëpër shkallë dhe duke më përplasur sendet e mia personale përtokë dhe më ka marrë me forcë çelësat e zyrës”, shkruan në kërkesën e punonjëses, së cilës ia ka bashkëngjitur edhe fotot me shenjat e dhunës, të cilat ka arritur t’i sigurojë gazeta. Ajo ka paralajmëruar MPJD-në se pengesa apo mospajisja me to, do të trajtohet në organet kompetente ligjzbatuese në Shqipëri dhe Kosovë, dhe për këtë çështje si përfaqësues të posaçëm ligjor e ka caktuar avokatin Arbër Hoxha.

Përveç denoncimit në MPJD, ajo ka ushtruar padi pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë, me objekt “Shpërblimin e dëmit që rrjedh nga kontrata e punës, kthim në vendin e mëparshëm të punës” dhe kërkesë penale si viktimë akuzuese, me objekt “Rrahja dhe vepra të tjera dhune”.

Dyshime për nivelin e shkollimit të konsullit

Incidenti ka ndodhur 15 ditë pasi ministri Konjufca i propozoi presidentit tërheqjen e Halim Krasniqit nga Konsullata e Përgjithshme në Tiranë, për shkak të përfundimit të mandatit katërvjeçar.

Kreshnik Ahmeti, shef i kabinetit të ministrit Konjufca, ka thënë se rasti është duke u trajtuar në Komisionin për Grada dhe Disiplinë, instancë kjo që merret me incidentet më të rënda në misione diplomatike. Ai po ashtu ka theksuar se do të sigurohen që nuk do ketë ndërhyrje në pamjet filmike të Ambasadës.

Komisioni do të bëjë edhe verifikimin e ligjshmërisë së aktit të shkarkimit të punonjëses nga ana e konsullit të përgjithshëm, Halim Krasniqi.