Rrëfimi i Ardian Koznikut se si i kishte shpëtuar aksidentit ajror rrugës për të nënshkruar me Hajdukun

E publikuar: 01/07/2018 20:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-sulmuesi nga Kosova, Ardian Kozniku, ka lënë gjurmë në futbollin kroat. Ai ka luajtur për Hajdukun e Splitit dhe Dinamon e Zagrebit, ndërsa ka qenë edhe pjesë e përfaqësueses së Kroacisë.

“Në fillim të viteve të nëntëdhjeta u përhapën thashetheme se ndoshta mund të luaja për Kroacinë. Unë u thosha të gjithëve: ‘Po si mund të luaj kur nuk kam nënshtetësi’. Megjithatë, e mora shumë shpejt. Menjëherë më ftuan në përfaqësuese për ndeshjen kundër Sllovakisë në prill të vitit 1994. Isha shumë krenar që Kroacia kishte nevojë për mua. Pranova pa kurrfarë frike”, ka treguar Kozniku, i cili ka lindur në Gjakovë, ndërsa stërvitjet si futbollist i ka nisur që në moshën 11-vjeçare, shkruan 24sata.hr.

“E kisha nisur te klubi Vëllaznimi, ndërsa pa i mbushur 12 vjet në turneun e Zemunit u shpalla lojtari më i mirë dhe kështu filloi edhe karriera ime futbollistike”, ka thënë 50-vjeçari.

Futbollin profesionist e ka nisur te Prishtina, ndërsa në vitin 1990 ishte transferuar te Hajduku. Mirëpo, gjatë fluturimit drejt Splitit në Cessna kishte përjetuar një aksident. Për shkak të motit të keq, piloti i ishte detyruar ta ulte aeroplanin në një livadh.

“Në aeroplan ishin unë, daja im dhe drejtori i atëhershëm i Hajdukut, Jurica Jerkovic. Piloti na kërkoi të lidheshim, ndërsa unë dhe daja im u shikuam dhe pyesnim se me çfarë të lidheshim, aeroplani ishte i vogël. Na kapi paniku”, ka rrëfyer Kozniku.

Aterrimi ishte shumë i vështirë, por fatmirësisht nuk kishte pasur viktima.

“Kur prekëm me tokën, pasoi një kërcim prej 20 metrash. U rrotulluam, ndërsa pastaj i dëgjonim zërat: ‘Si je ti?’. Biseduam me njëri-tjetrin. Ishim kthyer me kokën poshtë, pastaj me këmbë e shtyra derën. E falënderoj Zotin që na shpëtoi, por edhe pilotin fantastik”, ka theksuar ish-futbollisti.

Ardian Kozniku (Foto: YouTube/24Sata)

Kozniku ka qenë pjesë e gjeneratës së artë të Kroacisë në Kampionatin Boëtror, ‘Franca 1998’.

“Fatkeqësisht për atë ndeshje gjysmëfinale kundër Francës, ishim në epërsi 1-0 (me golin e Davor Suker)… Ishte një trishtim i madh pas humbjes, thuajse ishim në finale. Mirëpo, i mblodhëm forcat për ndeshjen kundër Holandës dhe ishte dëshmi se atë përfaqësuese duhet gjithmonë respektuar. T’i mposhtësh holandezët pas asaj humbjeje nga francezët, ishte gjë shumë e madhe”, ka thënë Ardiani.

Në vitin 1998, Kroacia humbi me rezultat 2-1 nga Franca në gjysmëfinale, ndërsa në ndeshjen për vendin e tretë me të njëjtin rezultat e mposhti Holandën. /Telegrafi/