Roshi dhe Shkurtaj, gola në fitoret e Rijekas dhe Asteras Tripolis

E publikuar: 28/10/2015 22:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Odise Roshi arrin të gjejë rrugën e rrjetës me Rijekën në raundin e 1/8 të Kupës së Kroacisë. Futbollisti i Kombëtares Kuqezi, i cili e nisi sfidën si titullar, realizoi golin e fundit në fitoren 3-0 në transfertë me Opatijan, që rezistoi pa pësuar gol deri në minutën e 54-tërt, moment kur Tomasov, zhbllokoi rezultatin. Në të 70-tën Bezjak realizoi golin e dytë, për t’i ardhur më pas radha Roshit, që të linte shenjë në këtë takim. Futbollisti tjetër shqiptar që luan me Rijekën, Bekim Balaj, nuk u aktivizua as si zëvendësues në këtë përballje.

Ndërkohë në Kupën e Greqisë, shkëlqen sulmuesi shqiptar Vasil Shkurtaj, i cili realizoi dopietë në fitoren 4-0 të Asteras Tripolis ndaj Kallonit. 23-vjeçari realizoi golin e dytë në të 49-tën si dhe të 3-tin në minutën e 71-të, por këtë radhë nga pika e bardhë e penalltisë. Lanzarote në pjesën e parë dhe Fernandez në fundin e takimit shënuan dy golat e tjerë për Asteras Tripolis, që e nis me fitore fazën e grupeve të Kupës së Greqisë.