Ronaldo me dy gola i siguron Juventusit fitoren ndaj Sampdorias

E publikuar: 29/12/2018 16:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Juventusi është rikthyer te fitoret në Serie A, pasi ka mposhtur Sampdorian me rezultat të ngushtë 2-1.

Kampioni në fuqi i Italisë e nisi shumë mirë ndeshjen dhe vetëm pas dy minutave gjeti golin e epërsisë.

Cristiano Ronaldo shënoi vetëm pas dy minutave lojë (Foto: Tullio M. Puglia/Getty Images/Guliver)

Sulmuesi argjentinas Paulo Dybala e shërbeu bukur Cristiano Ronaldon i cili nga krahu i majtë shënoi një gol të bukur për 1-0.

Epërsia e vendasve zgjati deri në minutën e 33-të, kur për mysafirët realizoi Fabio Quagliarella nga pika e bardhë për ta barazuar rezultat në 1-1.

Juventusi tentoi ta rikthente epërsinë në pjesën e parë por një gjëje të tillë nuk ia arriti, kështu që skuadrat shkuan në pushim me rezultat të barabartë 1-1.

Me të filluar pjesa e dytë, Juventus filloi të sulmonte edhe më shumë ekipin mysafir.

(Foto: Tullio M. Puglia/Getty Images/Guliver)

Në minutën e 65-të, bardhezinjtë fituan një 11 metërsh pasi Ekdal i mysafirëve luajti me dorë në zonë.

Nga pika e bardhë i saktë ishte Cristiano Ronaldo që riktheu epërsinë e Zonjës së Vjetër.

Por, mysafirët nuk u dorëzuan dhe vazhdonin të atakonin portën e vendasve. Në minutat shtesë (90’+2+ ishte mesfushori italian Ricardo Saponara që shënoi një gol jashtëzakonisht të bukur për ta barazuar rezultat në 2-2, por që u anulua nga VAR pasi paraprakisht ishte pozitë jashtë loje.

Juventusi vazhdon të mbetet lider në Serie A me 53 pikë të tubuara, 12 më shumë se Napoli që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Në javën e 20-të, që luhet më 20 janar, Juventusi do të jetë nikoqir i Chievos, ndërsa Sampdoria luan në udhëtim te Fiorentina. /Telegrafi/