Rihapet gjykimi në rastin e të akuzuarve për vrasjen e policit Shemsi Gashi

E publikuar: 18/12/2017 14:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur që ta rihap gjykimin ndaj të akuzuarve për vrasjen e policit Shemsi Gashi, që kishte ndodhur në mars të vitit 2015 në lagjen “Mati 1”, në Prishtinë.

Të hënën, ka qenë e paraparë që të shpallet aktgjykimi ndaj të akuzuarve në këtë rast Vesel Gjinovci, Kujtim Bejiqi, Ramadan Gashi, Mujë Gashi, Agron Gashi, Adonis Gashi, Robert Gashi dhe Vesel Bunjaku, të cilët nuk kanë qenë të pranishëm në këtë seancë.

Arsyet e rihapjes së këtij gjykimi, sipas trupit gjykues të kryesuar nga gjykatësja Valbona Selimaj, janë se në fjalën përfundimtare të të akuzuarit Vesel Gjinovci, i cili qysh në fazën hetimore e kishte pranuar fajësinë, janë përmendur disa elemente që sipas saj, duhet të sqarohen.

Seanca e radhës është caktuar më 28 dhjetor 2017, nga ora 09:30.

Në seancën që ishte mbajtur më 29 nëntor të këtij viti, i akuzuari Vesel Gjinovci kishte deklaruar se i pandehuri tjetër Ramadan Gashi, ia kishte dhënë atij revolen për ta kryer vrasjen e policit Shemsi Gashi.

“Ramadan Gashi ma ka dhënë revolen ‘TT’, më ka thënë se ‘ti e din rastin dhe se nëse nuk e kryen vrasjen do ta gjej dikë për ty ose ndonjë familjarë tuajin’”, kishte thënë Gjinovci, i cili qysh në fazën hetimore e kishte pranuar fajësinë për vrasjen e policit Gashi.

Kurse, në seancën e 14 dhjetorit edhe Vesel Bunjaku e kishte pranuar fajësinë për përfshirje në vrasjen e zyrtarit policor.

Prokuroria kishte ngritur aktakuzë ndaj tetë personave në vitin 2015, shumica prej tyre familjarë të të ndjerit Shemsi Gashi, lidhur me vrasjen e këtij të fundit.

Vesel Gjinovci dhe Kujtim Bejiqi akuzohen nga prokuroria për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

Gjinovci e kishte pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar dhe u kishte kërkuar falje familjarëve të të ndjerit.

Sipas prokurorisë, arsyeja që kishte çuar deri te kjo vrasje ishte një problem pronësor në mes të të ndjerit dhe Ramadan, Mujë e Agron Gashit, konkretisht për një parcelë, pronësore prej 40 ari, në lagjen e spitalit në Prishtinë.

Sipas prokurorisë, Ramadan Gashi, Mujë Gashi, Agron Gashi, Adonis Gashi, Robert Gashi dhe Vesel Bunjaku kishin shkuar në Brezovicë, ku kishin planifikuar vrasjen e rreshterit Gashi.

Gjithmonë sipas aktakuzës, Vesel Gjinovci e kishte njoftuar Ramadan Gashin se pas bisedës me Adonis Gashin, ka pranuar që ta kryejë vrasjen, ndërsa Ramadani i kishte premtuar si shpërblim 5000 euro, kurse me automjetin e tij e dërgoi Gjinovcin deri te shkolla e lagjes “Mati”, duke ia treguar orarin e punës së Shemsi Gashit dhe rrugën nëpër të cilën udhëtonte ai./Betimiperdrejtesi/