Real, çka tash?

E publikuar: 16/05/2015 12:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

12 muaj pas triumfit në Ligën e Kampionëve, për herë të dhjetë, Real Madrid është vetëm dy ndeshje larg nga përfundimi i sezonit duarthatë. Çfarë do të ndodhë tash? Kjo është pyetja të cilët e kanë në mendje pothuajse të gjithë tifozët e Los Blancos. “Sportsmail” është munduar t’i gjejë përgjigjet.

Problemet – Prej Alfredo Di Stefanos në verën e vitit 1983, asnjë trajner i Real Madridit nuk ka shpëtuar në detyrë pa fituar asgjë. Nga ajo kohë janë shkarkuar 13 trajnerë pasi kanë dështuar të sjellin ndonjë trofe brenda një stinori dhe Carlo Ancelotti nuk bën përjashtim. Real vazhdon të shpenzojë më tepër se cilido klub tjetër, por kanë triumfuar në La Ligë vetëm një herë nga viti 2008.

Filozofia – Filozofia vazhdon të jetë e pandryshueshme, shpenzime dhe vetëm shpenzime. Por, ishte pikërisht ish futbollisti Alvaro Morata ai që shënoi golin që i eliminoi dhe kualifikoi Juventusin në finale të Ligës së Kampionëve. Los Blancos kanë skuadrën e tyre që drejtohet nga Zinedine Zidane por në përjashtim të Martin Odegaard, nuk ka ndonjë futbollist që konsiderohet si i denje për t’u inkuadruar në ekipin e parë.

Trajneri – Carlo Ancelotti është në dyshim në postin e tij. Fati i italianit është në duart e presidentit Florentino Perez, i cili nuk ka aspak frikë të shkarkojë një trajner i cili e ka mbyllur sezonin pa asnjë trofe. Por, në rast të largimit nga Santiago Bernabeu, Ancelotti nuk do të vuajë nga mungesa e interesimit.

Largimet – Javier “Chicharito” Hernandez nuk do të blihet pas skadimit të periudhës së huazimit nga Manchester United. Por, në dyert e largimit atij do t’i bashkohen edhe Fabio Coentrao e Alvaro Arbeloa. Asier Illarramendi e Jese po ashtu nuk besohet se kanë të ardhme në Santiago Bernabeu. Ndërsa, në shitje mund të përfundojë edhe përforcimi i ardhur në janar, Lucas Silva.

Përforcimet – Nësë shpeton pa u dënuar nga FIFA, Real Madrid do të shpenzojë sërish. David de Gea është objektivi kryesor për pasardhës afatgjatë i Iker Casillas. Mbrojtësi Jose Gaya ka vazhduar me Valencian por mesfushori i Juventusit, Paul Pogba mund të jetë një emër i dobishëm për ta rikthyer entuziazmin e tifozëve.

Gareth Bale – Bale nuk do të largohet. Presidenti Perez nuk ka shpenzuar gati 100 milionë euro për ta shitur uellsianin pas vetëm dy sezonesh. Megjithatë, Bale duhet të përmirësohet, dhe të mësojë se si të ballafaqohet më mirë me presionin e madh në Santiago Bernabeu.

Ronaldo – Në sezonin e ardhshëm, ai do të jetë golashënuesi më i mirë në histori të klubit, dhe mund të fillojë të mendojë se ka ardhur koha për t’u larguar. Gjatë këtij stinori, Ronaldo ka luajtur shpesh si qendërsulmues, kurse në edicionin e ri i takon të funksionojë më mirë me dyshen Bale dhe Karim Benzema, nëse francezi është ende në klub.