Rasti “Medicus”: Si dështoi që krahu i djathtë i “vampirit” të mos ekstradohet në Kosovë

E publikuar: 13/03/2019 16:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Institucionet shtetërore dështuan përsëri që të ekstradojnë në Kosovë njërin prej të dyshuarve kryesorë në rastin “Medicus”


Marsi i këtij viti shënon dështimin e radhës të autoriteteve kosovare të drejtësisë për ekstradimin në Kosovë të mjekut izraelit, Moshe Harel.

Harel konsiderohet si njëri ndër celulat kryesore të grupit të akuzuar për transplantim veshkash, i njohur si rasti “Medicus”.

Madje, Prokuroria kishte ngritur aktakuzë të veçantë ndaj Moshe Harel, njëlloj siç kishte bërë me mjekun Yusuf Sonmez, i njohur si doktor “Vampiri”, dhe njëri nga akterët kryesorë të rrjetit të transplantimit të organeve.

Sipas aktakuzës, Hareli ka qenë ndërmjetësi kryesor në sigurimin, shitblerjen dhe transplantimin e organeve njerëzore, e i njëjti ishte arrestuar nga autoritetet e Qipros në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar nga Kosova dhe Rusia.

Arrestimi i tij kishte ndodhur në vitin 2017, ndërkaq që ai qëndroi për dy vite në paraburgim.

Mirëpo, rreth para një jave, Gjykata e Larnakas e liroi atë nga paraburgimi, duke mos e përfillur kërkesën as të Kosovës e as të Rusisë.

Në lidhje me këtë çështje dhe shkaqet e dështimit të ekstradimit të tij, Lajmi.net ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Drejtësisë. Nga kjo e fundit kanë bërë të ditur se nuk kanë pranuar asnjë përgjigje nga autoritetet e Qipros për rastin në fjalë.

“Lidhur me pyetjet tuaja, iu njoftojmë se për rastin në fjalë nuk kemi pranuar asnjë përgjigje nga autoritetet e Qipros”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Teksa nuk janë përgjigjur nëse ekstradimi i tij është bllokuar nga një shtet i tretë, e që mund të ketë qenë Rusia, e cila po ashtu kishte lëshuar urdhërarrest për Moshe Harel.

Kujtojmë, se Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim rastin “Medicus” për të dytën herë.

Lutfi Dervishi, pronar i klinikës ishte dënuar me 7 vjet e gjysmë burg dhe me 8 mijë euro gjobë, ndërsa me një vit ishte dënuar Sokol Hajdini.

Avokati i të akuzuarit Lutfi Dervishi, Besnik Berisha, për lajmi.net ka thënë se caktimi i seancës së radhës është në diskrecion të Gjykatës, dhe se ai beson që shumë shpejtë do të procedohet.

Megjithatë, Berisha tha se duhet të korrigjohet padrejtësia ndaj Lutfi Dervishit dhe familjes së tij.

“Caktimi i seancës është në diskrecion të Gjykatës dhe besoj se shumë shpejtë do të procedohet më rigjykim. Unë dhe klienti im, Lutfi Dervishi jemi të interesuar që sa më parë të fillojë shqyrtimi gjyqësor, në mënyrë që të korrigjohet padrejtësia ndaj tij dhe familjes së tij, si dhe të provohet pafajësia e tij”, ka thënë ai.

Vendimi për dy të akuzuarit nuk do të aplikohet, deri në një vendim tjetër të plotfuqishëm të Gjykatës së Shkallës së Parë./Express/