Rama na zbulon arsyen e “vërtetë” të paketës misterioze “anti- shpifje”

E publikuar: 16/10/2018 18:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shpifja është e “regjistruar” në kodin penal shqiptar por zelli i kryeministrit deri më tani është treguar i hekurt për të sjellë një tjetër paketë që do ta godasë këtë vepër, ndërsa sot po marrim vesh dhe arsyen se përse kryeministri po e bën gjithë këtë.

Nuk janë vetëm kazanët e politikës dhe medias. Një arsye madhore qëndronka pas paketës misterioze të Edi Ramës për shpifjen. Aryseja janë fëmijët shqiptarë.

Pavarësisht se shumë prej tyre po largohen nga Shqipëria, për ata që mbeten apo nuk kanë mundësi për të studiuar jashtë, kryeministri Rama ka marrë përsipër që t’i çmësojë n ga veset e këqija. Në një postim në rrjetin social, Rama i kërkon shqiptarëve të imagjinojnë për një moment skenarin sikur fëmijët të mësohen me idenë se shpifjet, sharjet, gënjeshtrat dhe hiletë janë mjete të nevojshme për mundjen e kundërshtarit. Sipas kreut të qeverisë, paketa e tij “anti-shpifje” mesa duket do jetë dhe një kompas moral për fëmijët. (Kësaj here Rama ka lënë mënjanë emotikonet me shenjën e gishtit të mesit, për ti dhënë një ton më serioz mesazhit të tij.)

Statusi i para dy diteve e beri Kryeministrin “HIT” ne rrjetet sociale

STATUSI:

Imagjinoni për një moment sikur fëmijëve t’u mësonim se shpifjet, sharjet, hiletë e gënjeshtrat, janë mjete jo vetëm të lejueshme, po edhe të nevojshme për të mundur një kundërshtar! Sot këto mjete po u tregtohen përditë shqiptarëve nga humbësit politikë dhe kazanët mediatikë.

Rama shkruan fill pas një statusi të Lulzim Bashës, që e akuzon kryeministrin për kapjen e drejtësisë dhe dhënien e një standardi të dyfishtë, nga njëra anët për shqiptarët e thjeshtë dhe nga ana tjetër për vetë Ramën dhe njerëzit e tij të afërt. E teksa Basha sulmon kryeministrin për kapjen e shtetit, Rama në pushtet na siguron të gjithëve se paketa anti- shpifje do çlirojë vendin.

Shumë shpesh kryeministri thotë se shqiptarët nuk janë budallenj, por po vetë harron se të shumtë janë shqiptarët që tashmë i kanë mësuar 3 vendet kyçe ku “fsheh kokën” politika… prapa Flamurit, prapa librit (fesë) dhe prapa fëmijëve./Gazeta Express