Rama me drejtuesit e spitaleve: Nga nesër të jepni dorëheqjen

E publikuar: 31/07/2017 21:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Edi Rama ka thirrur në zyrën e tij stafet drejtuese të spitaleve në të gjithë vendin, të cilëve u ka kërkuar të japin dorëheqjen për t’i hapur rrugë ndryshimit të situatës në institucionet e shëndetit publik.

“Është e qartë që largimi juaj nga detyra që nesër nuk është zgjidhja e këtij problemi, por është fillimi i zgjidhjes”, ka thënë Rama.

Rama ka nënvizuar se sistemi shëndetësor do t’i nënshtrohet një reforme të thellë për të përmirësuar rezultatet e performancës së stafeve menaxhuese. Reforma, sipas kreut të qeverisë, ka si qëllim autonominë e secilit spital në vend.

“Që ne të kemi një autonomi spitalore të besueshme dhe të realizueshme dhe që paratë, transferimi i parave nga buxheti i centralizuar i Ministrisë së Shëndetësisë tek spitalet, të mos kthehet në një problem të ri na duhet që stafet drejtuese të marrin përgjegjësinë e autonomisë menaxheriale”, ka thënë Rama.

Por kush do t’i plotësojë postet drejteuse të spitaleve rajonale, bashkiake apo edhe 3 spitaleve të Tiranës? Kreu i qeverisë ka paralajmëruar zhvillimin e një konkursi, si pjesë e reformës në shëndetësi, i cili do të mbahet në mënyrë publike nga shtatori, kur do të krijohet dhe ekzekutivi i ri.

“Një konkurs publik, ku do të ftohen të gjithë ata që kanë kapacitete dhe kompetenca menaxheriale. Kushdo që mendon që i ka, përfshirë edhe ju këtu, le të kandidojë për drejtimin e këtyre strukturave kaq të rëndësishme për shërbimin spitalor”, ka shtuar Rama./tch/