Quni mirënjohës ndaj Kroacisë për përkrahjen e FSK-së

E publikuar: 13/02/2020 15:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Mbrojtjes Anton Quni, priti sot në takim ambasadoren e Republikës së Kroacisë në Kosovë, znj. Danijela Barishiq.

Duke i shprehur mirëseardhje, Quni shprehu mirënjohjen e thellë për Kroacinë, për përkrahjen e ofruar deri më tani në ndërtimin, zhvillimin dhe avancimin e gjithmbarshëm të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Mbështetjen e ofruar për zhvillimin e kuadrove profesionale me shkollimet dhe trajnimet në qendrat specialistike dhe akademinë ushtarake të ofruar në vazhdimësi, Ministri Quni e vlerësoi me rëndësi dhe impakt të lartë në realizimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të ndërveprueshme me forcat aleate të vendeve partnere dhe anëtare të NATO-së siç është edhe Kroacia me forcat e armatosura të saj.

Ministri i Mbrojtjes e njoftoi ambasadoren edhe me procesin e implementimit të Planit Gjithpërfshirës të Tranzicionit duke ritheksuar se ky proces, si deri më tani, do të realizohet në transparencë të plotë dhe përputhje me kornizën kohore të planifikuar si dhe në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me vendet partnere.

Nga ana e saj, ambasadorja Barishiq premtoi se Kroacia si një vend mik i Kosovës, sikur edhe deri më tash, do të vazhdojë të ndihmojë dhe mbështesë Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në në të gjitha fushat dhe komponentet e tyre në mënyrë që të përmbushë me sukses të plotë synimet e tyre, respektivisht procesin e tranzicionit sipas planit përkatës.