Qeveria Haradinaj miraton programin, shfuqizon agjendën e ligjeve të Qeverisë Mustafa

E publikuar: 18/09/2017 16:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kreu kosovar i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, në mbledhjen e tretë në Qeverisë që i prinë ka folur rreth programit qeverisës.

U ka thënë ministrave të kabinetit të tij se Qeveria që ia drejton do ta bëjë dallimin me qeveritë e kaluara në aspektin e miratimit dhe përmbajtjes së programit.

“Ju informoj se krahas një vizioni qeverisës të partive politike të koalicionit qeverisës dhe zyrës së kryeministrit është marr direkt kontributi i resorëve veç e veç. Ky program përmbledh në vete objektivat qeverisëse zhvillimore, angazhimin qeverisës, qeverisja e mirë, rendi e ligji, zhvillimi ekonomik”, ka thënë Haradianaj, raporton KTV.

“Për dallim nga qeveritë e kaluara që programet kanë ngecë kjo qeveri do ta bëjë dallimin me kapacitetin e saj qeverisës”, ka thënë Haradinaj, përcjell koha.net.

Në fund Haradinaj ka thënë se në program janë përfshirë edhe Projektligjet që kanë qenë në shqyrtim, por është shfuqizuar programi legjislativ për vitin 2017 i votuar në dhjetorin e vitit 2016, nga qeveria e Isa Mustafës.

Programi është miratuar dhe do t’i drejtohet Kuvendit.

Haradinaj kishte paraqitur në Kuvendin e Kosovës një përmbledhje të planit të tij qeverisës kur po kërkonte votën e deputetëve për të formuar Qeverinë. Ajo është kritikuar ashpër nga dy subjektet opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me Alternativën.