PSG fiton kryendeshjen ndaj Liverpoolit, në xhiron e fundit vendoset gjithçka

E publikuar: 28/11/2018 23:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Paris Saint-Germaini e ka fituar (2-1) kryendeshjen e xhiros së pestë në Grupin C të Ligës së Kampionëve ndaj Liverpoolit, në ndeshjen e zhvilluar në Parc de Princes.

Rezultati u zhbllokua në minutën e 13-të. Pas një gabimi të skuadrës mysafire, Juan Bernat shfrytëzoi nga rasti për t’i kaluar vendasit në epërsi.

Festa e parisienëve (Foto: Clive Rose/Getty Images/Guliver)

Golin e dytë e shënoi Neymar (37’). Braziliani e shfrytëzoi një top të kthyer për ta dyfishuar avantazhin.

Në minutat shtesë të pjesës së parë (45’+1), me një gol të James Milner nga penalltia, Redsat i ngjallën shpresat për rikthim.

Mirëpo, të zgjedhurit e Jurgen Klopp nuk arritën që t’i ndryshonin gjërat në fraksionin e dytë.

Neymar shënoi golin vendimtar (Foto: Clive Rose/Getty Images/Guliver)

Mesfushori shqiptar, Xherdan Shaqiri, hyri në lojë në minutën e 77-të, mirëpo nuk arriti t’i ndihmojë ekipit të tij që të nxjerrë rezultat pozitiv.

Me këtë fitore Paris Saint-Germaini është ngritur në kuotën e tetë pikëve, një më pak se lideri Napoli që fitoi ndaj Crvena Zvezdas.

Liverpooli ka mbetur në gjashtë pikë, ndërsa në xhiron e fundit luan pikërisht ndaj skuadrës italiane, ndaj të cilës duhet doemos të fitojë.

Kampioni francez ka një detyrë të lehtë kundër Crvena Zvezdas në xhiron e gjashtë, në të cilën pritet ta sigurojë pjesëmarrjen në fazën tjetër. /Telegrafi/