Prokuroria ngrit 110 aktakuza për 24 orë

E publikuar: 03/06/2019 14:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prokurori i Shtetit, njofton opinionin se për 24 orë ka ngritur 110 aktakuza, kundër 147 personave, për vepra të ndryshme penale të parapara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Siç thuhet në njoftim, me urdhër të prokurorit, janë ndaluar 14 persona për 48 orë, për vepra të ndryshme penale si dhe, prokurori i shtetit ka bërë 10 kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj 13 personave. Po ashtu, nga prokuroritë themelore janë bërë tri kërkesa për sekuestrim të përkohshëm, përcjell lajmi.net

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur një aktakuzë kundër nëntë personave për veprat penale: “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge , “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, dhe “Shpëlarje e parasë”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ndaluar gjithsej gjashtë persona për vepra të ndryshme penale, si dhe, ka ushtruar dy kërkesa për caktim të masës së paraburgimit ndaj katër personave. Gjithashtu, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur gjithsej 43 aktakuza, kundër 51 personave.

Në Prokurorinë Themelore në Prizren, janë ngritur 16 aktakuza, ndaj 24 personave dhe është bërë një kërkesë për sekuestrim.

Prokuroria Themelore e Pejës, ka ngritur 14 aktakuza, kundër 20 personave, dhe ka paraqitur tri kërkesa për caktimin e masës se paraburgimit, ndaj tre personave.

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ndaluar 3 persona, në kohëzgjatje prej 48 orësh, ka paraqitur dy kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj tre personave

dhe ka ngritur 22 aktakuza, ndaj 25 personave, për vepra të ndryshme penale.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, gjatë 24 orëve të fundit ka ngritur tri aktakuza, kundër tre personave, për vepra të ndryshme penale dhe ka bërë një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj Sh. M., për veprat penale ”Dhuna në familje” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, ka paraqitur dy kërkesa për sekuestrim.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, me urdhër të prokurorit kujdestar, ka ndaluar pesë persona, ka ngritur 11 aktakuza ndaj 15 personave, ka paraqitur dy kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave, si dhe bërë një kërkesë për sekuestrim.