Prokurimi, ministri Rrahmani kërkon ndryshimin e ligjit, opozita thotë se faji është moszbatimi i tij (Video)

E publikuar: 06/07/2015 20:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Vonesat e shpeshta në furnizim me barna nëpër institucionet shëndetësore publike janë pasojë e procedurave të prokurimit.

E për shkak të kushtit që fitues të shpallet operatori ekonomik me çmimin më të lirë, profesionistët shëndetësorë ankohen për cilësi të dobët të barnave e aparatura jo të mira, raporton KTV.

I pari i shëndetësisë në vend, ministri Imet Rrahmani, ka kërkuar në qeveri që në plotësim-ndryshimin e ligjit të prokurimit të ketë specifika të veçanta për këtë fushë.

Por ata që e bëjnë ligjin, nuk po pajtohen me këtë.

Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj Bujupi, që është anëtare e komisionit për legjislacion, ka thënë se kjo kërkesë nënkupton zyrtarizimin e korrupsionit.

Derisa krerë të institucioneve shëndetësore e shohin si pengesë ligjin e prokurimit, ligjbërësit thonë se përkundrazi, pengesë është moszbatimi i tij.

Raportimet e organizatave të ndryshme e gjetjet e auditorit flasin se institucionet shëndetësore janë përballur me mungesë barnash e mosfunksionim të aparaturave.

Nga gjithë kjo situatë më të dëmtuar janë pacientët, derisa kompani e persona të caktuar kanë përfituar shumë.