Prizren: Arrestohet për fajde, i kërkonte 70 mijë euro viktimës

E publikuar: 23/03/2015 17:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Policia në Prizren ka ndaluar një person të dyshuar si fajdexhi. I dyshuari kishte ndaluar dhe sulmuar fizikisht një person duke kërkuar nga ai 70 mijë euro, me pretekstin se ato para ja kishte marrë babai i tij, tanimë i vdekur. I dyshuari figuron në databazën e policisë edhe për 44 vepra të tjera penale, kryesisht, fajde, vjedhje, kanosje, mashtrim dhe të tjera.

Policia e Prizrenit ka bërë të ditur se sot në Sektorin e hetimeve rajonale është paraqitur Bernard Përlazaj i shoqëruar nga avokati i tij, pasi ndaj të njëjtit policia kishe lëshuar urdhër arrest nën bazë e dyshimit se i dyshuari së bashku edhe me dy persona tjerë, tanimë të njohur për policinë, me datën 23 shkurt, rreth orës 19:40 minuta i kishin zënë rrugën një qytetari që po lëvizte me veturë në afërsi të shtëpisë së tij.

Sakaq i dyshuari ishte futur në veturën e viktimës, ku në dorë mbante një kopje të letërnjoftimit të babait të viktimës me ç ’rast i thotë se babai i tij i kishte një borxh prej 70 mijë eurosh. Ndërsa, bëhet e ditur e babai i viktimës tanimë është i ndjerë.

Pas disa çastesh i dyshuari e ka sulmuar fizikisht viktimën duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Policia tutje, bënë të ditur se rajonalë kanë kryer hetime intensive në koordinim të plotë me prokurorinë e shtetit për zbardhjen e këtij rasti. Ndërsa i dyshuari pretendon se babai i viktimës i kishte marrë me fajde shumën e parave për një qytetar të cilin nuk e njeh fare.

Pas intervistës, prokurori i shtetit ka nënshkruar vendimin për ndaljen e të dyshuarit nën masën e arrestit policor për 48 orë. Vlen të theksohet se i dyshuari figuron në bazën e të dhënave policore edhe për 44 raste tjera, kryesisht për fajde, vjedhje, kanosje, mashtrim, detyrim e tjera.