Policia e Mitrovicës zbaton planin e sigurisë së trafikut rrugor

E publikuar: 28/03/2017 15:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Njësia e Trafikut Rajonal, në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicë, gjatë muajit mars, në mbështetje të zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, ka ndërmarrë masa të shtuara të sigurisë në trafikun rrugor, përmes implementimit të planit operativ ’kontroll teknik jashtëzakonshëm i veturave në trafik’.

Sipas policisë, masat e shtuara vijnë si rrjedhojë dhe domosdoshmëri, ku sipas vlerësimeve të bëra një ndër faktorët e pasojave me lëndime dhe me fatalitet në aksidente konsiderohen shkaqet teknike të  veturave.

“Andaj, veprimet e shtuara operacionale kanë për qëllim identifikimin dhe marrjen e masave, përfshirë edhe largimin e veturave nga trafiku, të  cilat  nuk i përmbushin kushtet teknike për qarkullim në trafikun rrugor. Si rezultat i  angazhimit të shtuar  për  dy javët e muajit mars  janë identifikuar mbi 42 raste, ku janë shqiptuar gjoba, dhe fletëparaqitje për gjykatë”, thuhet në një njoftim të policisë.

Policia apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, që të bashkëpunojnë me zbatuesit e ligjit, duke respektuar rregullat e trafikut rrugor, me qëllim të shmangies së sanksioneve të cilat Policia është e obliguar me ligj t’i ndërmarrë, për të ndikuar në parandalimin dhe reduktimin e aksidenteve në trafik përmes masave preventive.