Plot 270 minuta pa pranuar gol – Shehu i Flamurtarit optimist për mbijetesën

E publikuar: 04/05/2018 10:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tri ndeshjet e fundit kanë qenë shumë të rëndësishme për Flamurtarin në luftën për mbijetesë. Dhe, pikërisht në këto tri ndeshje klubi prishtinas nuk ka pranuar asnjë gol.

Sigurisht se pjesë e rezultateve pozitive është edhe portieri i Flamurtarit Besnik Shehu.

Ai ka plot tri ndeshje që nuk ka pranuar gol, të tri këto sfida shumë kruciale për klubin nga kryeqyteti që po tenton të mbijetojë në elitën e futbollit kosovar.

Ish portieri i Rahovecit që ri instaloi karrierën e tij me performancat e fundit në Superligën e Kosovës megjithatë u jep merita bashklojtarëve.

Besnik Shehu sezonin e kaluar ishte pjesë e Rahovecit ku ishte pjesë kyçe drejt mbijetesës së klubit Vreshtar. Ai nuk luajti për gjysmë sezon, duke stërvitur individualisht, teksa rastin e gjeti te Flamurtari në Superligë në luftën e madhe për mbijetesë duke ri instaluar karrierën prej portieri. Pas startit jo aq pozitiv, ai ka arritur të shkëlqejë në ndeshjet e fundit ku ka tri ndeshje pa pranuar gol. Një pjesë të karrierës ai e kaloi edhe në kampionatin regjional të Austrisë, Foto: Facebook. 

“Pa bashklojtarët do të ishte e pamundur. Falënderoj të gjithë për përkushtimin, shpresoj të vazhdojmë formën e tillë si ekip. Natyrisht se më bën të ndihem mirë ecuria pozitive, por në fund të ditës ekipi është mbi të gjitha”, u shpreh Shehu për Telegrafin.

I pyetur për vazhdimin e karrierës së tij dhe nëse Flamurtari do të sigurojë mbijetesën në elitë, ai thotë se ende asgjë s’ka përfunduar.

“Kemi edhe shumë ndeshje për të zhvilluar. Nuk e kemi siguruar ende mbijetesën dhe secila ndeshje është sikur finale. Momentalisht jam i fokusuar në ndeshjet që kanë mbetur dhe në luftën për mbijetesë”, përfundoi ai.

Flamurtari gjendet në pozitën e 10-të, atë që çon në barazh me 22 pikë, tri më shumë se Besa që është në vendin e 11-të dhe që çon në kategorinë e dytë të futbollit kosovar. /Telegrafi/