Pesë faktorët nga të cilët varet korrigjimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë

E publikuar: 04/02/2019 14:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Demarkacioni midis serbëve dhe shqiptarëve, pas një gjumi të zgjatur, kthehet përsëri në tavolinë. A do të thotë kjo se zgjidhja përfundimtare do të varet nga një numër faktorësh, rezultati i së cilës pritet në muajt e ardhshëm, raporton portali serb “Blic”, transmeton zeri.info.

Edhe pse vëzhguesve të zakonshëm iu duket që zgjidhja nuk është aspak afër, sinjalet e fundit dhe ndryshimi serioz në qëndrimin për çështjen e ndryshimit të kufijve arriti të mërkurën nga Prishtina. Pothuajse pa u vënë re, rrëshqiti deklarata e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, i cili me të vërtetë me ton negativ, në tavolinë vendosi ndryshimin e “kufijve të Kosovës”.

“Tani e kuptoj. Nuk ka pavarësi pa sakrifikuar një pjesë të territorit të Kosovës”, citohet Haradinaj.

Agresive, siç njihet politika e tij, ku deri më tani nuk kishte vend edhe për ndryshimin e qëndrimit për ndryshim të kufirit, ka marrë një fytyrë të re. Kjo u konfirmua edhe në një deklaratë nga një takim i koalicionit qeverisës, mbajtur të mërkurën mbrëma, i cili diskutoi taksat mbi produktet serbe. Vlen të theksohet, për herë të parë, nga kabineti i Haradinajt doli një deklaratë në të cilën, nuk përmendet me asnjë fjalë integriteti territorial, shkruan tutje media serbe, përcjell zeri.info.

Pa marrë parasysh sa të vegjël këto hapa, të vendosur në kontekstin e agjitacion të fuqishëm për “korrigjimin e kufijve” që mbështetet nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kjo tregon se në tryezë gjenden karta të reja. Disa pika kthyese duhet mbajtur në mendje në të ardhmen dhe që do të luajë një rol të rëndësishëm në ngjarjet e Kosovës – efektin e tensioneve në Prishtinë, zgjedhjet e mundshme në Beograd, Bruksel dhe Prishtinë, rolin e Amerikës, situatën në terren, marrjen e pikave strategjike, kontrollin mbi liqenin e Gazivodës, formimin e AKS-së, por edhe çështjen e Luginës së Preshevës që shqiptarët vazhdimisht e imponojnë, shkruan tutje portali serb “Blic”, përcjell zeri.info. Pra, le të fillojmë me rend:

Situata në Prishtinë

Kur bëhet fjalë për potencialin për çdo lloj marrëveshjeje, nuk duhet të harrojmë konfliktin e ndezur mes Thaçit dhe Haradinajt, por as faktin që Haradinaj në deklaratën e demarkacionit, në të cilën për herë të parë ka pranuar se ai ishte i vetëdijshëm se kjo është një zgjidhje që në të vërtetë “ ka mbështetje”, ai praktikisht e rrethon atë me fjalët që ai kurrë nuk do ta lejojë atë. Ndoshta vetëm sepse loja e tij, në këtë moment është e dyfishtë, shkruan tutje portali serb. Haradinaj është i vetëdijshëm se në qoftë se arrihet një marrëveshje me Beogradin, ndoshta si rezultat i saj ai bie prej lojës dhe për këtë arsye kërkon lëvizje agresive dhe përplasje, në një mënyrë shumë atipike, me komunitetin ndërkombëtar për çështjen e taksave. Qëllimi është të përpiqet të kapitalizojë popullaritetin e fituar në qëndrimin anti-serb dhe kundër ndarjes, shkruan zeri.info. 

Haradinaj është duke u përpjekur, si shpjegon një burimi i “Blic”-it nga Kuvendi i Kosovës, që me veprimet e tij të shkaktojë rënien e qeverisë dhe vetës t’i ofrojë një shans, duke pas parasysh që në zgjedhjet e kaluara kishte mbështetje një-shifrore dhe me manovra politike u kthye në një kryeministër, ta kapitalizojë në diçka edhe më të madhe se kaq. Një rezultat i tillë, nëse ne shikojmë në qëndrimet aktuale të tij, do të thotë ndryshim në politikën e marrëveshjes, por kjo është një çështje e hapur se sa është reale, sidomos duke pasur parasysh “xhokerin” në duart e Thaçit, dhe rindërtimin e qeverisë, në të cilën Haradinaj dhe AAK-ja do të zëvendësohej nga LDK-ja dhe Isa Mustafa, ish kryeministër i Kosovës.

Zgjedhjet në Bruksel, Beograd dhe Prishtinë Megjithatë, Prishtina nuk është e vetmja në listën e zgjedhjeve. Në këtë drejtim, është e rëndësishme të dini se askush sot nuk ka asnjë dyshim se zgjedhjet potenciale, si në Prishtinë, Beograd, ose në Bruksel (ku do të bëhet zgjedhja e udhëheqjes së re evropiane në pranverë) të bllokojnë dialogun. Prandaj, zyrtarët evropianë, për muajt të tërë kanë dhënë afate të qarta për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse – fillimisht deri në fund të vitit të kaluar, dhe pastaj deri në pranverë të këtij viti. Kjo do të thotë se hapësira për një zgjidhje po bëhet gjithnjë më e ngushtë, në qoftë se respektohet këmbëngulja e evropianëve, një formë e marrëveshjes mund të arrihet deri në maj, kur zgjedhjet evropiane janë planifikuar.

Përndryshe, çdo gjë shtyhet për një periudhë më të gjatë, veçanërisht në qoftë se bie qeveria në Prishtinë apo zgjedhjet e parakohshme në Beograd që po debatohen publikisht. Është e rëndësishme që BE të arrijë një zgjidhje para zgjedhjeve pikërisht për shkak të rrezikut që zgjedhjet e reja në Bruksel do të çojnë në përfaqësim më të madh të opsioneve të djathta në pozita vendimtare. “KE-ja është e aftë të veprojë vetëm deri në prill, dhe pas zgjedhjeve në Parlamentin Evropian, qëndrimi i saj do të jetë ndryshe. Pastaj do të kemi një komisioner nga mjedisi i Viktor Orbanit, një nga Matea Salvini, Yaroslav Kachinski. Kjo nuk është në favor të kapacitetit të Komisionit për të zgjidhur problemin”, paralajmëroi kohët e fundit ish-komisioneri i BE-së për Kosovën Volfgang Petritsch, transmeton zeri.info.

Roli i SHBA-së

Pikërisht për shkak të këtij kufizimi të kapaciteteve evropiane, tashmë një kohë të gjatë vendoset skenografia për përfshirjen e SHBA-s në dialog. Administrata aktuale në Uashington, është vlerësuar si ideale që të shtyhet zgjidhje siç është korrigjimi i kufijve, për të cilën më herët në opinionin perëndimor nuk ka mundur as të bisedohet. Për këtë arsye, Amerika praktikisht është fuqia e madhe e parë që ka dhënë dritën jeshile kësaj ideje. “Politika amerikane është që nëse të dyja palët mund të merren vesh rreth kësaj dhe të arrijnë marrëveshje, ne nuk përjashtojmë mundësinë e korrigjimit territorial”, ka deklaruar në gusht të vitit të kaluar, John Bolton, këshilltari i Donald Trump për Siguri Kombëtare. Pikërisht pas kësaj deklarate, korrigjimi i kufijve është bërë temë që mund të bisedohet.

Me ndryshimin e qëndrimit amerikan ndaj Serbisë, insistimin që Prishtina të heq taksën dhe me mbështetjen për dialogun, Uashingtoni për herë të parë për të dyja palët, është pranuar si ndërmjetës në dialog. Pas letrës së presidentit amerikan dhe përgjigjes së presidentit serb Aleksandar Vuçiç, përfshirja direkte e SHBA-s në dialog, është gjithnjë e më e qartë. “Duhet të vjen deri te marrëveshje gjithëpërfshirëse në kuadër të së cilës duhet të dihet çka është e imja, çka është e juaja, ku është kufiri mes Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar të premten ambasadori amerikan në Serbi, Kyle Scott dhe këtë e ka ilustruar me shembullin se kur në një bibliotekë në SHBA e blen hartën gjeografike të Serbisë, ajo në masë të madhe dallon nga harta që blihet në Beograd, përcjell zeri.info.

Mirëpo, përfshirja me vete tërheq edhe përfshirjen potenciale të Rusisë, ndërsa është çështje e hapur nëse presidentit rus Vladimir Putin, i përshtatet zgjidhja e konfliktit të Kosovës, sepse siç vlerësojnë analistët, ai me këtë ‘nuk do të fitonte asgjë, ndërsa do ta humbiste ndikimin në rajon, i cili është shumë i rëndësishëm për të”.

Ngjarjet në teren, Gazivoda, Lugina e Preshevës

Në ndërkohë, në teren, nga ana e Prishtinës, me të madhe po ndërmerren hapat për marrjen faktike të pjesëve të territorit të cilat janë më se të rëndësishme për Prishtinën, nëse vjen deri te korrigjimi i kufijve. Kjo mund të shihet pas hyrjes së njësive speciale ROSU në veri të Kosovës, ku ishin arrestuar katër serbë. Përveç mesazhit që u kanë dërguar serbëve të atjeshëm se askush nuk është i sigurt, shqiptarët kanë nisur të zbatojnë në vepër edhe projektin e marrjes së Mitrovicës veriore, ndërsa insistojnë edhe në kontrollimin e pikave strategjike, liqenit të Gazivodës dhe Trepçës.  Dhe pikërisht këtu vjen deri te pika thyese. Korrigjimi i kufijve, si ide e cila mund të dëgjohet nga të dyja palët, asnjëherë publikisht nuk është arsyetuar. Nuk dihet se çfarë konkretisht paraqet dhe çfarë do të futej në atë pako. Mirëpo, në opinion ekspertët me të madhe kanë folur rreth modeleve të mundshme, ndërsa ndodhitë në teren flasin për vete dhe nuk duhet anashkaluar, përcjell zeri.info. 

Veriu i Kosovës, si një koncept politik, përfshin katër komuna me shumicë serbe – Leposaviqin, Zveçanin, Zubin Potokun dhe Mitrovicën e Veriut. Tre gjëra tani janë të dukshme. Së pari, shqiptarët, të cilët kanë formuluar ligjërisht kërkesat për një unifikim të Mitrovicës, veriore dhe jugore (serbe dhe shqiptare), dhe të cilët janë duke planifikuar një projekt të madh infrastrukturor që përfshinë gjithë Mitrovicën dhe shtrihet në zonat përreth në veri të Kosovës – veprimet e tyre tregojnë qartë se për ta Mitrovica nuk është në pakon e ndarjes.

Së dyti, në komunën e Zubin Potokut, e cila është në veri dhe me shumicë serbe, është Liqeni Gazivoda, i cili është i një rëndësie strategjike dhe rreth të cilit ka një përplasje të gjatë. As Beogradi as Prishtina në asnjë moment nuk dhanë një sinjal që do të tregonin gatishmëri për të diskutuar rreth kontrollit të liqenit. Në të njëjtin kontekst mund të shihet dhe me çështjen e Trepçës, të cilën shqiptarët janë përpjekur në mënyrë të përsëritur për “rrëmbimin” përmes vendimeve ligjore, përmes të cilave në duart e qeverisë së Prishtinës të vihet 80 për qind pronësinë së Kombinatit.

Së treti, shqiptarët dhe, mbi të gjitha, Thaçi, për një kohë të gjatë janë duke u përpjekur të imponojnë bashkimit e të gjithë ose një pjese të Luginës së Preshevës, Kosovës,  të cilën Thaci e paraqit si kompensim për “ndarjen”, dhe Beogradit e hedh poshtë zyrtarisht si të papranueshme dhe të çmendur. Këto janë kërkesa rreth të cilave në periudhën e ardhshme mund të ketë përplasje, ndërsa tani është më se e paqartë se cili kombinim mund të gjendet në tavolinë, nëse korrigjimi si propozim vjen për diskutim.

Formimi i bashkësisë së komunave serbe

Çështja e formimit të bashkësisë së komunave serbe, është i lidhur ngushtë me çështjen e mëparshme. Për më shumë se pesë vjet, siç ka qenë marrëveshja e Brukselit, kjo pyetje ka treguar se sa e vështirë është të detyrohet Prishtina të zbatoj edhe marrëveshjet e nënshkruara nga vetë ajo. Kështu, bashkësia e komunave serbe, e cila sipas marrëveshjes duhet të mblidhte komunat me shumicë serbe dhe t’u mundësojë serbëve të angazhohen bashkërisht në Kosovë, gjithmonë ka qëndruar në ajër përmes mesazheve konstante nga Prishtina, të cilat lëvizin nga ajo se nuk do të kishte fuqi ekzekutive, e deri te ajo se nuk do të formohet kurrë.

Prapa secilës prej këtyre mesazheve është një qëllim – zhgënjimi total i atij komuniteti. Megjithëse për këtë nuk flitet zëshëm, ata që janë të njohur me këtë problem, thonë se nëse arrihet një marrëveshje për korrigjim të kufijve, do të realizohet çështja e përshtatshmërisë së formimit të një komuniteti të tillë./Zëri/