Përkundër deportimit, mbrojtja e shtetasve turq do të kërkojë llogari në Kosovë

E publikuar: 31/03/2018 20:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

6 shtetasit turq të arrestuar para tre ditësh në Kosovë, janë deportuar për në Turqi. Ata akuzohen me akuza të rënda nga si pjesëtarë të organizatës së Fetullah Gylenit.
Përkundër se tashmë 6 shtetasit turq janë deportuar, mbrojtja e tyre në Kosovë po synon ta zbardhë këtë rast deri në detaje.

Leutrim Syla, avokat i Cihan Okzan ka thënë për lajmi.net se familja i ka autorizuar që të vazhdojnë të merren me këtë problem, deri sa të zbulohet e vërteta.

“Për shkak se rasti është në Turqi, kompetencat nuk shtrihen te avokatët e Kosovës. Por ne jemi të autorizuar nga familja që të marremi me çështjen e cila ka të bëjë me Kosovën. Pra të kërkojmë sqarime se çfarë ka ndodhur, marrjes së përgjigjeve dhe qartësimit të gjithë asaj që ka ndodhur, veprimeve të ndërmarra, qysh edhe kam kërku ma herët, pra llogaridhënie”, ka thënë Syla.

Avokati Syla tutje ka thënë se tash e pas do të kërkojnë vetëm informacione në formë të shkruar, pra dokumentacione.

Sipas Sylës, deri më tani ata nuk kanë marrë asnjë deklaratë zyrtare.

“Tash e pas do të kërkojmë vetëm dokumentacione, prova dhe sqarime. Edhe ne si mbrojtje nuk dijmë, kemi thirr stacione policore, shumë vende, dhe asnjë informacion nuk është dhënë me shkrim. Në momentin që pranojmë diçka me shkrim, do të mendojmë pastaj se çka të bëjmë, ky është qëndrimi jonë për momentin për shkak se është pushim deri të martën”, tha tutje avokati i njërit nga turqve të deportuar.

Syla ka thënë se do të bashkëpunojnë edhe me Prokurorinë. Por nuk ka dhënë informacione tjera, pasi që thotë se do të presin të dhëna zyrtare.

“Gjëja e parë që do të kërkojmë është të dijmë se çka ka ndodhur, detajet e procesit, pastaj edhe llogaridhënie. Nëse ka pasur shkelje, do të bashkëpunojmë me Prokurorinë”, ka thënë Syla për lajmi.net

Ai ka bërë të ditur se nga zyra e kryeministrit iu kanë premtuar se për rastin në fjalë do të ketë edhe diskutime me Prokurorinë e Shtetit.

“Premtime kemi marrë nga zyra e kryeministrit. Në fakt këshilltarët e kryeministrit kanë thënë se është procedura edhe në prokurorinë e shtetit. Por këto të dhëna pritet të verifikohen të martën”, ka përfunduar Leutrim Syla.

Si rezultat i shkarkimeve nga kryeministri pas këtij rasti, Erdogan e ka akuzuar Haradinajn se po i përkrahë “terroistët”. /Lajmi.net/