Përgjysmimi i dënimit për kriminelin e luftës irriton krushjanët: Të qajmë edhe për drejtësinë, jo veç për familjarët

E publikuar: 01/12/2020 14:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Për një sërë krimesh të luftës, Darko Tasiq, do të dënohet me 11 vjet burim – përfshirë këtu edhe paraburgimin – sipas vendimit të fundit të Gjykatës së Apelit që përgjysmoi dënimin e tij nga 22 vjet sa i caktoi Gjykata Themelore në Prizren.

Sipas pikës 1 të aktakuzës, Tasiq në Krushë të Vogël mori pjesë në konfiskim të pasurisë, plaçkitje, shkatërrim të paligjshëm dhe të qëllimshëm të pasurisë (djegien e shtëpive) që nuk justifikohej me nevojat ushtarake. Ndërsa sipas pikës 2 të aktakuzës, ai akuzohej edhe me veprime të tjera si pjesëmarrje në përdhosjen e trupave të pajetë të personave të paidentifikuar, duke i djegur ato dhe duke i hedhur në lumin Drin, njofton Klan Kosova.

Edhe kur u dënua me 22 vjet, krushjanët protestuan duke thënë se ky dënim është qesharak në krahasim me mizoritë që iu kishte shkaktuar Tasiq familjarëve të tyre.

Por, tani kur dënimi u ul përgjysmë, ata ndjehen të irrituar dhe të tradhtuar nga drejtësia kosovare.

Kryetar i këshillit të fshatit Krushë e Madhe, Selami Hoti, ka thënë për klankosova.tv se gjykatat e Kosovës i bënë të pavlera dëshmitë e familjarëve të viktimave të krimit.

“Kjo është e tmerrshme. Derisa kriminelit i përgjysmohet dënimi s’mund të quhet ndryshe veçse një dështim i drejtësisë kosovare dhe vazhdim i asaj drejtësie ndërkombëtare që e bëjnë qytetarin e Kosovës të mos ndjehet komod me historinë dhe t’i bëjnë dëshmitë e qytetarëve të pavlera krahas propagandës të kujtdo qoftë”.

“Ky dënim e ngre një pikëpyetje të madhe nëse duhet ta marrim drejtësinë në duart tona. S’mund të kërkohet të bëhet pajtim me Serbinë derisa kriminelët s’dënohen ose edhe kur dënohen marrin pak dënim”.

Hoti ka thënë se dështimi i drejtësisë kosovare mund të dëmtojë edhe Kosovën në tentativën e saj që të arrijë të vendosë drejtësi për krimet e luftës.

“Një njeri që i ka bërë gjithë ato krime në dy fshatra, që ka bërë zhvendosjen e trupave, krim të organizuar, nga Krusha e Madhe në Krushë të Vogël, pra një kriminel që ka emër e mbiemër dhe të mos merr dënimin e merituar është dështim i vazhduar edhe nga drejtësia ndërkombëtare”.

Hoti, në emër të familjarëve të viktimave dhe gjithë banorëve të fshatrave Krushë e Vogël dhe Krushë e Madhe, ka bërë apel që Presidenca, Kryeministria dhe Grupet Parlamentare ta trajtojnë seriozisht këtë çështje.

“Masakra e Krushës është Auschwitz i Europës moderne dhe nëse këta kriminelë kalojnë pa u dënuar apo të marrin dënime qesharake, na bën të mendojmë se duhet ta marrim drejtësinë vetë në dorë. Familjarët tonë s’mund të gjejnë kurrë paqe derisa kriminelët serbë jo vetëm që s’e marrin dënimin, por ato zvogëlohen, edhe pse ishin qesharakë në fillim. S’mundet një kriminel që e ka mbushë kamionin viktima bashkë me aparatin shtetëror serb, të kalojë me këtë dënim kaq të lehtë”.