Përditësimi i Tetorit 2018 i disponueshëm për të gjithë nga Windows Update

E publikuar: 19/12/2018 11:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Microsoft ka arritur të zgjidhë problemet që shqetësuan përdoruesit të cilët donin të instalonin Përditësimin e Tetorit 2018 të Windows 10-ës.

Gjigandi i softuerit ri-publikoi këtë përditësim madhor pasi e tërhoqi herën e parë sepse përdoruesve u fshinë të dhënat gjatë instalimit.

Megjithatë Microsoft ka punuar gjatë për tu siguruar se të gjithë mund të marrin përditësimin pa hasur probleme.

Disa prej tyre ishin probleme me iCloud, klientët VPN dhe softuerët e sigurisë nga Trend Micro.

Kompania ka treguar transparencë maksimale në këtë drejtim duke detajuar shqetësimet e përdoruesve në sajtin e suportit dhe tha se tashmë të gjithë duke kontrolluar nga Windows Update mund të marrin përditësimin.

Vitin e ardhshëm Microsoft do të vërë në fokus cilësinë pas një 2018 me probleme. Windows është një sistem kompleks për tu testuar se jo çdo kompjuter ka të njëjtët komponentë, drivera dhe softueri.

Windows 10 është e instaluar në 700 milion pajisje dhe Microsoft duhet të provojë skenarë nga më të ndryshmet për të bërë gjënë e duhur me përditësimet. /PCWorld Albanian