PDK: Krimi në Gjilani po lulëzon, Luta dhe kryeprokurori po heshtin

E publikuar: 22/11/2015 17:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

PDK e Gjilanit ka bindjen se krimi ekonomik dhe urbanistik në këtë qytet është jashtë çdo kontrolli institucional, mafia e ndërtimeve nuk njeh ligj as shtet, ata janë nën mbrojtje nga prapaskena institucionale e Gjilanit, zyrtarët e lartë komunal janë bërë pjesë e logjistikës në këtë strukturë kriminale.

Ndërsa Lutfi Haziri është verbuar plotësisht e në anën tjetër Prokuroria Themelore po heshtë, thotë kjo degë e Partisë Demokratike të Kosovës.

“Sipas raporteve zyrtare të komunës së Gjilanit, gjatë mandatit të Lutfi Hazirit janë marrë 211 aktvendime nga Inspeksioni komunal për ndërprerjen e ndërtimeve pa leje, ndërsa janë marrë edhe 86 aktvendime tjera për rrënim të objekteve pa leje, por asnjë rrënim, veprim apo masë ligjore nuk është marrë deri më tani nga komuna”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Sipas PDK-së, po ashtu shumë leje ndërtimore janë lëshuar nga urbanizmi në kundërshtim me kushtet dhe kriteret urbanistike, për të cilat Prokuroria Themelore në Gjilan që në muajin maj 2015 ka filluar hetimet ndaj 6 zyrtarëve komunal dhe inspektorëve të ndërtimit, mirëpo edhe pse kanë kaluar 6 muaj kjo prokurori nuk ka rezultuar me asnjë masë ligjore ndaj tyre.
“Sipas deklaratës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjilan Jetish Maloku bërë më 8 qershor 2015, zyrtarët komunal dyshohet se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, nuk kanë ndërmarrë masa për parandalimin e ndërtimeve pa leje si dhe kanë shpërdorur pozitën e tyre zyrtare, ku janë dhënë leje ndërtimore në kundërshtim me kriteret e përcaktuara dhe me planet rregulluese të qytetit”.

Por nga ajo kohë është heshtur gjithçka në këtë drejtim, thotë PDK-ja, teksa pyet pse.
“Mos vallë, ka aq shumë lëndë dhe dosje kriminale të ndërtime pa leje në Gjilan dhe që Prokuroria Themelore nuk po mundet ende për këto 6 muaj t’i përfundojë ato hetime? Apo mos vallë ndoshta janë mbyllur këto hetime nga Prokuroria Themelore, për hatër të Lutfi Hazirit e thotë se komuna e Gjilanit është e para në nivel vendi, që ka respektuar kushtet dhe kriteret për këto qindra ndërtime pa leje në qytet?”, thuhet në komunikatë. “Apo ndoshta i duhet ende kohë mafisë ndërtimore në Gjilan, derisa sa të përfundojnë edhe disa dhjetëra objekte kolektive pa leje ndërtimore, të cilat po ndodhin me dinamikë të shpejtë edhe atë para shtëpisë së kryetarit të Gjilanit”, thuhet më tej aty.

PDK thotë se “secili në qytet flet për atë se kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri ka shtrirë dorën e ndikimit përsëri (sikurse në rastet tjera) te Prokuroria Themelore, për të heshtur dhe mbyllur këto hetime për keqpërdorime dhe vepra penale që janë bërë nga zyrtarët e tij komunal”.

“Për arsye se bosët e këtyre ndërtimeve janë zyrtarë të lartë të LDK-së dhe AAK-së në Gjilan dhe nga bizneset e zyrtarëve më të lartë komunal që sot udhëheqin institucione komunale brenda Kuvendit Komunal dhe në ekzekutivin e komunës. Andaj, për këtë gjendje kaosi në qytet, bashkëpjesëmarrës, përgjegjës dhe fajtor janë edhe kryetari i komunës Lutfi Haziri edhe Prokuroria Themelore e Gjilanit që e drejton Jetish Maloku Kryeprokuror, sepse mosveprimi i tyre, heshtja e plotë e tyre para këtij kaosi, është dorëzim para krimit ose është pjesëmarrje në krim, ku bënë pjesë edhe shpërlarja e parave e cila po bëhet në këtë sektorë milionësh”, thuhet në njoftim.

Fabrika e bukës në Gjilan është izoluar në katër anët me ndërtime kolektive, disa të bëra pa leje ndërtimore, e disa të bëra në kundërshtim të plotë me Planin Zhvillimor Urbanistik, me kushtet dhe kriteret të cilat janë të përcaktuara në vendimet e Kuvendit Komunal dhe të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, thotë PDK.
“Ne si opozitë, për më shumë se një vit kemi kërkuar dhe insistuar që ky problem serioz të trajtohet në Kuvendin Komunal të Gjilanit, injorimit të kërkesës tonë i erdhi fundi sepse tek tani është detyruara kjo qeverisje e dështuar, që të fus në rend dite për seancën e radhës çështjen e ndërtimeve pa leje në qytetin e Gjilanit”, thuhet njoftimin e PDK-së, të nënshkruar nga Riad Rashiti, anëtar i KK Gjilan nga radhët e PDK-së.

Në fund të kësaj komunikate, i është bashkuar edhe një deklaratë të kryeprokurorit në Gjilan, Jetish Maloku, të cilën e kishte transmetuar Koha.net më 8 qershor 2015.
“Ne jemi duke bërë hetime ndaj disa inspektorëve ndërtimorë ngase në mënyrë të qëllimshme, më mirë të themi në mënyrë të heshtur, kanë lejuar që të ndërtohen objektet pa leje duke mos ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre. Gjithashtu kemi intervistuar edhe një zyrtar tjetër i cili dyshohet për veprën e shpërdorimit të pozitës zyrtare ku janë dhënë leje për ndërtim pronarëve duke mosrespektuar kriteret e përcaktuara dhe të cilat kanë rënë ndesh me planet rregulluese të qytetit. Ne dyshojmë se janë dhënë leje të ndërtimit pa asnjë kriter gjatë kësaj kohe. Sa i përket emrave të këtyre zyrtarëve komunalë, kjo është konfidenciale sepse hetimet janë në zhvillim e sipër”, kishte thënë Jetish Maloku Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Gjilan.