PDK: Dënimi i Lushtakut skandaloz

E publikuar: 27/05/2015 15:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Skenderaj, ka reaguar për dënimin e kryetarit të kësaj partie.
Ky subjekt politik e ka quajtur dënimin e Lushtakut skandaloz dhe të pa bazuar.
Kjo është komunikata e plotë e PDK-së

“Vendimi i sotëm i Gjykatës Themelore në Mitrovicë për dënimin e Kryetarit të Degës së PDK-së në Skenderaj Sami Lushtaku, ka qenë i papritur, shokues dhe skandaloz, për gjithë anëtarësinë e PDK-së në Skenderaj dhe qytetarët e Skenderajt. Drejtësia në rasin Drenica ka dështuar në mënyrë flagrante duke dënuar prijësit kryesor të luftës së UÇK-së, pa fakte relevante dhe bazuar në deklerata të trilluara nga dëshmitarë të mbrojtur. Që nga fillimi i këtij procesi kemi qenë të bindur se procesi ka qenë i motivuar politikisht, me tendencë të qartë për eliminim politik të figurave kryesore të luftës dhe të shtet-ndërtimit.

Andaj, vendimin e sotëm të Gjykatës Themelore në Mitrovicë e konsiderojmë si veprimin e dytë skandaloz të EULEX-it pas skandaleve që publikoi prokurorja e këtij misioni Mariah Bamieh, dy skandale që qartas tregojnë se misioni i EULEX-it në Kosovë aplikoi metodat të tipit inkuizitor në shekullin 21.

Konsiderojmë se vendimi për dënimin e Sami Lushtakut për krime lufte ka qenë i parapërgatitur dhe i inskenuar që në fillim të këtij procesi. Në krejt këtë proces qëllimi ka qenë paraprakisht i ditur, eliminimi dhe diskreditimi i figurës së Sami Lushtakut, duke ditur rolin dhe amgazhimin e e tij gjatë dhe pas luftës. Sami Lushtaku sot u dënua, duke respektuar dëshirën mizore të prokurorëve të EULEX-it, të prositur për zhdukjen e tij nga skena politike dhe zbehjen e fuqisë politike si i zgjedhur i qytetarëve të Skenderajt. Sot u dënuan vlerat më të çmuara të luftës sonë për liri, u dënuan ndërtuesit e shteti të Kosovës, u dënuan heronjtë e gjallë të Kosovës, ata që qëllim jetësor kishin lirinë, ndërtimin dhe fuqizimin e shtetit të tyre.

Pavarësisht vendimit të sotëm skandaloz të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ne më shumë se kurrë jemi të bindur se z. Sami Lushtaku dhe bashkëluftëtarët e tij nuk kanë bërë krime lufte. Dënimi i tyre u bë në bazë të dekleratave dhe inateve personale të dëshmitarëve të mbrojtur dhe të motivuar nga prokurorët ndërkombëtarë”./Indeksonline/