Pas dështimit me Shakirën, Agim Bahtiri ja mësyn ‘bashkimit’ të Mitrovicës

E publikuar: 21/12/2018 09:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve, personaliteteve të shquara dhe mediave që sot të marrin pjesë në një tryezë të përbashkët në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica” nga ora 10:00, me ç’rast do të nisin procedurat e peticionit për bashkimin e Mitrovicës.

Kuvendi Komunal i Mitrovicës më 30 nëntor ka miratuar konkluzionin me të cilin i është propozuar Qeverisë inicimi i procedurës për ndryshim të ligjit për kufijtë administrativ të komunave, me qëllim të bashkimit të Mitrovicës.

Megjithëse ministria e Administrimit të Pushtetit Lokale e cilësoi si jo ligjore, Agim Bahtiri nuk po i ndahet idesë së tij për bashkimin e qytetit të Mitrovicës.

E nisma paraprake e Bahtirit për bashkimin e qytetit ishte cilësuar si jo ligjore.

Po ashtu, nga deputetë të Kuvendit të Kosovës, më herët ishte thënë se ky është një mision i pamundur, pasi që kjo sipas tyre është kompetencë e nivelit qendror, dhe jo atij lokal.

E nisma e parë që ishte iniciuar nga Bahtiri, ishte votuar në Kuvendin Komunal të kësaj komune me 30 vota pro.

Përgjigjen përfundimtare  për këtë e dha MAPL-ja, e cila konstatoi se kjo çështje nuk është brenda kompetencave të kësaj komune.