Pas Afrinit, Turqia njofton objektivin e ri në Siri

E publikuar: 27/03/2018 19:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Turqia deklaroi se kontrollon plotësisht rajonin e Afrinit në Sirinë veriore, pas një ofensive 2-mujore për të dëbuar milicinë kurde. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan njoftoi të dielën se objektivi i radhës do të jetë qyteti Tal Rifaat. Erdogan është zotuar të largojë kurdët nga pushteti në të gjitha zonat e Sirisë dhe Irakut që ata morën nën kontroll pas mposhtjes së militantëve të Shtetit Islamik. Planet e Turqisë mund t’i vendosin forcat e saj ushtarake në konflikt me njësitë amerikane në Siri.

Turqia deklaroi se forcat e saj kanë marrë nën kontroll të plotë rajonin e qytetit Afrin, pas ofensivës për të larguar nga pushteti udhëheqësit kurdë. Gjysmëhëna e Kuqe Turke filloi shpërndarjen e ndihmave të emergjecnës për banorët e prekur nga luftimet.

“Kemi sjellë kuzhina të lëvizshme dhe kemi ekipe nëpër fshatra. Po hapim qendra dialize dhe po transferojmë të sëmurët. Po punojmë për të rregulluar digat që sjellin ujë në këtë zonë. Pra, po përpiqemi të rikthejmë jetesën normale sa më shpejt”, thotë Kerem Kinik, i Gjysmëhënës së Kuqe Turke.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha se fushata ndaj zonave kurde në Siri do të vazhdojë.

“Dashtë Zoti, do të sigurohemi që operacioni për marrjen e Tal Rifaat të kryhet me shpejtësi”, tha zoti Erdogan.

Qeveria turke është shprehur më parë se synon të marshojë edhe drejt Manbijit, një qytet sirian ku qëndrojnë forca amerikane që shërbejnë si garanci për popullsinë vendase se nuk do të bombardohen nga ajri.

“Jemi të kënaqur që nuk sulmohemi nga avionë, por nuk ndjehemi të qetë për gjithçka tjetër”, thotë Ali Al-Sattaf, punonjës në një dyqan këmbimi parash në Manbij.

Milicitë kurde kanë qenë në vijën e parë të frontit gjatë betejës së udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për të mundur Shtetin Islamik në Siri dhe Irak. Zoti Erdogan pretendon se këto milici janë pjesë e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit dhe se përbëjnë kërcënim për vendin e tij. Ai është zotuar të largojë kurdët nga pushteti në rajonet e Sirisë dhe Irakut.

Një zëdhënës i milicisë kurde YBS në Irak tha se nuk do të largohen nga qyteti Sinjar, pavarësisht kërcënimeve të Turqisë.

“Ka patur kërcënime të shumta nga qeveria turke për të ndërhyrë në Sinjar, madje edhe me mbështetjen e qeverisë irakiane. Por, nga qeveria e Irakut na është thënë se nuk ka një marrëveshje të tillë me Turqinë. Prandaj, ne po qëndrojmë këtu. Jemi një forcë legjitime irakiane”, thotë Marwan, zëdhënës i njësive mbrojtës të Sinjarit, YBS.

Protestuesit dolën në disa qytete evropiane për të dënuar pushtimin turk të Afrinit.

“Turqia është një forcë pushtuese në Afrin dhe po përpiqet të eliminojë jo vetëm një popullsi të tërë, por edhe një sistem demokratik dhe autonom, një model shoqërie të re laike që po lind në zemër të Lindjes së Mesme, në veçanti në Afrin”, thotë Nursel Kilic, e Lëvizjes Ndërkombëtare të Grave Kurde.

OKB-ja thotë se rreth 170 mijë civilë iu larguan Afrinit pas ofensivës turke. Shumë prej tyre janë strehuar në Tal Rifaat, qyteti që do të jetë objektivi i radhës i Turqisë në Siri.