Reagon Këshilli Drejtues i Sindikatës së Policisë pas rekomandimit për suspendim të kryetarit të Sindikatës Imer Zeqiri

E publikuar: 11/05/2024 00:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Inspektorati Policor i Kosovës më herët njoftoi se ka rekomanduar suspendimin e një togeri policor, nën dyshimin se i njëjti kishte incizuar dhe fotografuar kolegët e tij, në formë të paautorizuar.

“Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht Departamenti i Hetimeve, përmes Linjës së Kaltër ka pranuar sot një informacion nga Policia e Kosovës lidhur me dyshimet se nga një toger policor është kryer vepra penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”.
Pas pranimit të informacionit, hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes ku dyshohet se është kryer vepra penale respektivisht në zyrat e Sindikatës së Policisë së Kosovës.” – deklaroi IPK-ja.

Burimet e mediave në vend pohuan se bëhet fjalë për kryetarin e Sindikatës së Policisë, Imer Zeqirin.

Lidhur me këtë, ka reaguar Sindikata e Policisë.

Këshilli Drejtues i kësaj Sindikate, përmes një reagimi zyrtar thonë se janë duke ndjekur me shqetësim këto zhvillime dhe se distancohen nga veprimet kundërligjore.

“Sot me datë 10.05.2024, Këshilli Drejtues i Sindikatës se Policisë se Kosovës me shqetësim ka ndjekur zhvillimet rreth përfshirjes se njërit nga anëtarët e Kryesisë Ekzekutive të SPK-së respektivisht Kryetarit te SPK-se në veprime të kundërligjshme, ku me rekomandim të IPK-së edhe është suspenduar Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, zt. Imer Zeqiri, nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Fotografim dhe incizime tjera të paautorizuara” nga neni 202 i KPRK-së.
Këshilli Drejtues i SPK-së distancohet nga veprimet kundërligjore të kujtdo qofshin ato, duke premtuar angazhim të plotë dhe të vazhdueshëm në përmirësimin e kushteve të punës dhe ngritjen e mirëqenies së punonjësve të PK-së. Ditëve në vijim KD i SPK-së do të dalë me njoftim shtesë rreth zhvillimeve të fundit në SPK.” – thuhet në reagim.