Partitë te presidenti me data të ndryshme për zgjedhjet

E publikuar: 12/05/2020 11:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me insistimin për mbajtjen e shpejtë të zgjedhjeve parlamentare, partitë politike, sipas njohësve të çështjeve politike, po dëshmojnë se për to interesi partiak dhe qëndrimi apo ardhja në pushtet, është edhe më i rëndësishëm se shëndeti i qytetarëve.

Në takimin te presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, dy partitë më të mëdha politike, Lidhja Social Demokrate dhe VMRO-DPMNE, shkojnë me qëndrime të ndryshme. LSDM-ja e ish-kryeministrit Zoran Zaev, kërkon që zgjedhjet të mbahen nga mesi i qershorit, ndërsa VMRO-DPMNE-ja opozitare, kërkon që ato të mbahen, jo para mesit të korrikut, apo edhe më vonë.

Partitë shqiptare, gjithashtu kanë qëndrime të ndryshme lidhur me kohën e mbajtjes së zgjedhjeve. Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon që zgjedhjet të mbahen sa më parë që është e mundur, ndërkaq Aleanca për Shqiptarët kërkon mbajtjen e tyre pasi të hapen kufijtë, për t’i mundësuar diasporës pjesëmarrjen në votime.

Xhelal Neziri, analist politik, thotë për Radion Evropa e Lirë, se partitë me qëndrimet e tyre për zgjedhjet sikur kanë lënë anash gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet vendi, si pasojë e përhapjes së koronavirusit. Sipas tij, subjektet politike po shfrytëzojnë ditët kur ka ulje të rasteve të të infektuarve për të ngritur çështjen e zgjedhjeve.

“Partitë politike, liderët e tyre do të mbrojnë interesat e tyre të ngushta që lidhen ne projektimet partiake andaj edhe nuk kanë shumë parasysh problemin që ka shkaktuar pandemia dhe sëmundja COVID-19. Është një lojë politike e cila do të reflektohet edhe te presidenti, i cili gjithsesi se është nën presion dhe me siguri se do të duhet të vendosë që të ndërpresë gjendjen e jashtëzakonshme”, thotë Neziri.

Edhe Nikolla Dujoski, njohës i rrethanave politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se për partitë gjëja më e rëndësishme po del se janë zgjedhjet dhe ruajtja apo marrja e pushtetit.

“Partitë janë të tillë, interesi i tyre parësor është që të jenë në pushtet. Shëndeti i qytetarëve nuk është në plan të parë, sado që deklarativisht këtë e thonë, por realitet iështë krejt ndryshe. Për to pushteti është mbi të gjitha”, thotë Dujoski duke shtuar se zgjedhje duhet të ketë, por se ato duhet të mbahen pasi të ketë vlerësime të qarta se ato mund të mbahen në rrethana normale dhe pa ngarkesa për qytetarët.

“Në gjendjen në të cilën ndodhemi, të gjithë duhet të kenë kujdes për shëndetin e qytetarëve. Nuk them se zgjedhje nuk duhet të ketë, por shëndeti duhet të jetë mbi të gjitha. Nëse krijohen kushtet, edhe unë them se zgjedhje duhet të ketë, meqë duhet të kemi institucione të qëndrueshme dhe konform Kushtetutës që do të kujdesen për shëndetin e qytetarëve në këtë kohë të vështirë në të cilën ndodhet e gjithë bota”, thotë Dujoski.

Analisti Xhelal Neziri thotë se insistimi i LSDM-së për mbajtjen e zgjedhjeve në qershor dhe i VMRO-DPMNE-së për në korrik apo edhe në vjeshtë, motivohet nga vlerësimet mbi popullaritetin e tyre.

“Shihet se LSDM-ja kërkon që të ketë zgjedhje më të shpejta dhe me siguri se ka matje të disponimit në opinionin publik, i cili me siguri se është në favor të saj, ndërkohë që VMRO-DPMNE-ja në opozitë tenton që sa më shumë të shtyhen këto zgjedhje, duke shpresuar se me këtë do t’i japë më shumë hapësirë që të demaskojë qeverinë dhe të përfitojë më shumë opinionin”, thotë Neziri.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut ishin paraparë që të mbaheshin më 12 prill, por ato ishin shtyrë për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe aktualisht vendi drejtohet nga një qeveri teknike në të cilën merr pjesë edhe VMRO-DPMNE-ja opozitare.