Pal Lekaj sqarohet për deklaratat ndaj ambasadorit zviceran

E publikuar: 29/03/2019 15:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, është sqaruar për deklaratat e tij për largimin e Ambasadorit të Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet.

Këto ai i sqaroi gjatë një takimi që pati me ambasadorin Lebet, i cili tha se në asnjë moment nuk ka kërkuar largim të Ambasadorit të Zvicrës në Kosovë, e aq më tepër të kundërshtoj një shtet mik për Kosovën.

“Në deklarimin e tij, Lekaj ka theksuar se do të duhej një letër sqaruese për akuzat se veteranët në Kosovë janë të rrejshëm, për çka institucionet e drejtësisë ende nuk kanë dhënë një vendim”.

“Mes të tjerash, Lekaj ka ripërsëritur falënderimin e tij dhe shtetit të Kosovës për ndihmën e vazhdueshme të Zvicrës”.

Ambasadori zviceran Lebet, ka theksuar se çmon lart sakrificën e veteranëve të Republikës së Kosovës në luftën për liri dhe se çdo vërejtje që Zvicra dërgon, shteti i Kosovës duhet ta pranojë si një vërejtje nga një shtet shumë mik i kosovarëve.

“Ai shprehu keqardhje për të gjitha keqkuptimet që kanë ndodhur që nga dita e deklarimit të tij për veteranët dhe theksoi se miqësia Kosovë-Zvicër është e fuqishme, ndërsa ai personalisht ka admirim të veçantë për Kosovën”.