Pakënaqësi nga njohja amerikane e Jeruzalemit

E publikuar: 17/12/2017 18:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Partia Fatah e udhëheqësit palestinez, Mahmoud Abbas ka bërë thirrje për “protesta zemërimi” gjatë vizitës së nënpresidentit amerikan, Mike Pence në Jeruzalem javën e ardhshme, për të kundërshtuar vendimin e presidentit Donald Trump për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit.

Pas vendimit të zotit Trump që përmbys një politikë delikate që ka ekzistuar prej dekadash, udhëheqësit palestinezë anulluan planet për t’u takuar me zotin Pence. Ai pritet të takohet me zyrtarët izraelitë.

Si palestinezët edhe izraelitët thonë se Jeruzalemi është kryeqyteti i tyre.

Në Jeruzalem ndodhet Tempulli i Malit, vendi më i shenjtë për hebrenjtë, si edhe xhamia Al-Aqsa, vendi i tretë më i shenjtë për fenë islame dhe palestinezët e shohin Jeruzalemin Lindor si kryeqytetin e shtetit të tyre të ardhshëm.