Pacolli: Hera e parë që kam pasur frikë nga institucionet e shtetit tim

E publikuar: 06/05/2020 21:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka treguar detaje rreth debatit që u bë në emër të tij, ku ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla tha se pas kthimit nga Zvicra, Pacolli ka hyrë në Kosovë nga Shqipëria me makinën e Thaçit duke shkelur protokollet e shtetit.

Ai deklaroi në “Ilva Now” rrugën që ka ndjekur për të hyrë në Kosovë, ndërsa theksoi se ka pasur informacione se mund të ishte shënjestër e ndonjë sulmi terrorist, prandaj ka zgjedhur të zbresë në Tiranë dhe më pas të shkojë në Prishtinë.

“Unë kam pasur miq, që gjithmonë kanë thënë se do të bëhet mirë. Unë jam në zyrën time, në shtëpinë time në Zvicër. Unë jam një qytetar i botës dhe udhëtoj. Pas 60 ditësh që isha në izolim, ditën e fundit, që ishte 30 prilli, unë isha tek mjeku u kontrollova dhe bëra testin përfundimtar dhe normalisht u përgatita për ta ardhur në Kosovë, kur kam edhe pjesën e familjes. Pas kërkimit të lejes për aterim në Tiranë. Nga Tirana kam shkuar në shtëpinë time në izolim dy ditor, pasi nuk kishte kushte që të shkoj në Kosovë, duke parë kërcënimet që ata kishin bërë. Asnjëherë nuk kam thënë se nuk do të shkoj në karantinë. Për mua ka qenë e qartë se unë do t’i nënshtrohem masave, por pa shkuar atje kanë vijuar kërcënimet.

Unë kam qenë dy ditë i mbyllur në Tiranë dhe ditën e tretë kam udhëtuar për Prishtinë. Çdo gjë për mua ishte e qartë se ishte një inskenimi të partisë në pushtet. Unë nuk udhëtoj vetëm dhe sigurisht se kam një këshilltar që kujdeset për sigurinë e fluturimit. Mua më është thënë se pa u nisur për Tiranë, që do të ishte më mirë të shkonim në Tiranë se sa në Prishtinë. Inati dhe ai kaosi që u ngrit, unë në kokën time vendosa të shkoj në Prishtinë. Unë kam pasur qindra kërcënime, prej militantëve të VV, që ata të bënin çmos që unë të mos jetoj më. Ata më kanë kërcënuar familjen time. Ata kanë çuar fotografi të autobusit që i çon fëmijët e mi në shkollë. Kanë dërguar fotografi të djalit tim. Nuk e tërheq fjalën që e kam thënë se: është hera e parë që kam pasur frikë nga institucionet e shtetit tim.”, tha ai.

Ai komentoi deklarata kërcënuese të Kurtit dhe të ministrit të Brendshëm, të cilët deklaruar se do ta arrestonin Pacollin për thyerje të protokollit të shtetit të Kosovës.

“E dini mirë kërcënimin e ministrit të Brendshëm, përndryshe do të më arrestonte. Pas orës 24:00, vjen postimi i Kurtit, i cili thotë se do të më arrestoj. Kjo ishte një gjë që nuk e kam përjetuar kurrë. Isha i mërzitur, ndërsa në anë tjetër vazhdonin kërcënimet me telefon dhe të nesërmen ishte një dilemë se ku do të shkoj, unë vendosa të shkoj në Kosovë”, shtoi ai.