Operatori i madh celular në SHBA pranon pagesat e faturave në Bitcoin

E publikuar: 26/05/2019 12:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Abonentët e një prej operatorëve celular më të mëdhenj në SHBA AT&T mund të paguajnë faturat e tyre në kriptomonedha falë një bashkëpunimi të kompanisë me BitPay.

Pagesat përdoruesit mund ti kryejnë përmes uebsajtit të AT&T por edhe aplikacionit myAT&T. Kompania nuk specifikoi çfarë kriptomonedhash do të pranohen por uebsajti i BitPay sugjeron se mund të jenë Bitcoin, Bitcoin Cash, Gemini USD, Paxos dhe US Dollar Coin.

Edhe pse AT&T thotë se është operatori i parë celular në SHBA që pranon pagesa në kriptomonedha, është ende larg të qënurit biznesi i parë.

Në fillim të muajit Maj disa distributorë Amerikanë si Whole Foods, Nordstrom dhe GameStop filluan të pranonin pagesa në kriptomonedha.

Ky lajm është shumë i rëndësishëm për kriptomonedhat të cilat kanë filluar të rikuperohen në vlerë këtë pranverë. Adoptimi nga kompani të mëdha jo vetëm që do të ndikojë në vlerën e tyre por edhe adoptimin në masë. /PCWorld Albanian