Olimpiada 2024, Parisi hedh kandidaturën

E publikuar: 23/06/2015 17:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Parisi ka deklaruar kandidaturën për organizimin e Lojërave Olimpike të 2024, 100 vjet pas eventit të fundit të këtij lloji, mbajtur në kryeqytetin francez. Kjo është përpjekja e 4-rt pas tre dështimeve me kandidaturat e mëparshme. Londra ishte e fundit në rradhë që mundi Parisin për edicionin e Lojërave të vitit 2012.

Më parë francezët kanë parë të dështojnë kandidaturën e tyre për Lojërat e 2008 në Pekin dhe ato të 1992 në Barcelonë. Kryetari i Komitetit Organizator të Paris 2024, Bernard Lapasset, beson se – kjo kandidaturë i ka bashkuar më shumë të gjithë në kryeqytet.

Lojërat e vitit të ardhshëm do të organizohen në Rio, ndërsa Tokyo do të presë edicionin e vitit 2020. Ndërkohë presidenti i Komitetit Olimpik francez, Denis Masseglia, shpjegon se – këto Lojëra do të jenë një refleksion autentik multikultural i komunitetit dhe qytetit të Parisit.

Francezët kanë kohë deri në 15 Shtator për dorëzimin e kandidaturës së tyre në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Deri në këto momente, qytetet që kanë shprehur ambicjen e tyre për këto Lojëra jane Boston, Roma dhe Hamburgu. Fituesit do të shpallen në vitin 2017.