Një muaj paraburgim ndaj të dyshuar për tentim vrasje në Deçan

E publikuar: 01/11/2018 16:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Themelore e Pejës, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit SH.M.
Sot Gjykata Themelore e Pejës, Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit SH.M, për shkak se i njëjti me 30.10.2018 me dashje kishte tentuar ta privoj nga jeta një person, shkruan lajmi.net.

“Me datë 30.10.2018, në fshatin Isniq, Komuna Deçan, me dashje ka tentuar ta privoj nga jeta të dëmtuarin, në atë mënyrë që për shkak të disa problemeve të mëparshme që kanë pasur mes vete i pandehuri me të dëmtuarin, ditën kritike me të takuar mes vete ka filluar një kacafytje fizike, i pandehuri e sulmon fizikisht të dëmtuarin duke e goditur me një thikë në kokë, ku pas kësaj viktima është dërguar për kurim në spital”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Sipas njoftimit, me këto veprime i pandehuri SH.M. dyshohet se ka kryer veprën penale vrasje në tentativë nga neni 178 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.

Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji duke filluar nga data 31.10.2018 deri me datë 31.11.2018.

Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.