Nikoliq: ISIS po tenton formimin e shtetit sikur Kosova

E publikuar: 13/03/2016 22:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Krahasimi i Kosovës me Shtetin Islamik (ISIS), ka filluar nga ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq gjatë tentimit të Kosovës për anëtarësim në UNESCO. Ky krahasim është bërë edhe nga presidenti serb, Tomislav Nikoliq.

Nikoliq në një intervistë për RT ka ngrehur paralele mes njohjes së Pavarësisë së Kosovës dhe përpjekjes së Shtetit Islamik të krijojnë shtet legjitim, transmeton Koha.net.

Ai ka thënë më tej se intervenimi i Rusisë në Siri kundër Shtetit Islamik, ndalon formimin e një shteti në mënyrën që e ka ndjekur më herët Kosova.

“Intervenimi i Rusisë në Siri kundër Shtetit Islamik (ISIS) e ndalon drejtpërdrejt formimin e një shteti në mënyrën që është përdorur më herët në Kosovë, dhe faleminderit zotit ne kemi miqtë dhe mbrojtësit tanë në Këshillin e Sigurimit në OKB, veçanërisht Rusinë, që nuk do të lejojnë që ajo të formalizohet në OKB”, ka thënë Nikoliq.

Presidenti serb ka thënë se serbët nuk dëshirojnë të jenë pjesë e NATO-s dhe se në BE do të anëtarësohen atëherë nëse “dikush do të na detyrojë të njohim Pavarësinë e Kosovës dhe të heqim dorë nga bashkëpunimi me Rusinë”. Kjo sipas tij më mirë mos të ndodhë dhe mos të hyjnë fare në BE.