Nga Driton Smakaj: Një politikë në dakordim të plotë me SHBA-të nuk përbën servilizëm!

E publikuar: 12/05/2020 18:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lexojmë sot lloj-lloj opinionesh, analiza e analistë sipas dëshirave të liderëve të caktuar. Është në rregull me e mbështetë një parti politike, edhe është në rregull me e dashtë liderin që të ka ba për vete.
Pra, nuk është aspak në rregull me u pajtua me liderin për çdo gjë, për çdo pikë, për çdo fjalë.
Nëse keni arritë në atë pikë si njeri që i thoni vetes që mendon, atëherë jeni vërtetë fort gabim, sepse më nuk mendoni. Mendon vetëm lideri juaj për ju.
Shpesh i lexoj propaganduesit duke thënë që të pajtohesh çdoherë me Amerikën për çështje politike, është SERVILIZËM. Një qasje totalisht banale. Një qasje fort e pamenduar dhe e cektë për kohën nëpër të cilën po kalojmë.

Po e marr si shembull Shkelzen Gashin, që njihet si njeri që ka lexua shumë histori, dhe u bë i “famshëm” si Kështilltar i KM në detyrë. Në një status përmbledhës kishte futur Perandorinë Osmane, Mbretërinë Austro-Hungareze edhe Amerikën në të njëjtën paralele. Në shtjellimet e tij në ‘Rubikon’ ishte edhe më konfuz se sa vet statusi i tij në facebook. Pra, kur një njohës i historisë, është në gjendje të tërheq paralele të tilla, imagjinoni ku mund të shkojnë trushpërlarët që nuk e kanë as idenë më të vogël rreth kronologjisë së ngjarjeve!!!!…

Perandoria Osmane para se me pushtua Shqipninë, ka ba luftë për rreth 35 vite pa ndërpre kundër shqiptarëve. Janë vra qindra mijëra shqiptarë nga Perandoria Osmane në 500 vite pushtim, ose edhe miliona ndoshta (nuk ka të dhëna të sakta).
Pra në asnjë rrethanë Perandoria Osmane dhe Amerika nuk mund të kenë një fjali të përbashkët në një status në facebook që ka një kryefjalë dhe një kallxues.

Amerika nuk erdhi në Kosovë si pushtuese. Nuk erdhi as si platformë për sundim, e as si platformë për ndryshime kulturore të shqiptarëve.
Amerika dhe lidershipi i saj ishin shumë të vetëdijshëm çka kishte ndodhur në Bosnjë dhe së bashku me Europën Perëndimore nuk donin që në Kontinentin e vjetër të ndodhte edhe një tragjedi e tillë në prag të shekullit të ri.
Amerika dhe Europa kishin dëgjuar për planin sekret ‘PATKOI’ të Milloshevičit që parashihte vrasje masive të shqiptarëve në Kosovë dhe shpërngulje masive të tyre nga trojet e veta. Qëllimi i planit ‘PATKOI’ ishte spastrimi etnik i Kosovës dhe përbënte një shkelje të tmerrshme të drejtave të njeriut.
Amerika mbi këtë element e ka thye vendimin e Këshillit të Sigurimit të Kombëve të Bashkuara dhe e kanë sulmue Serbinë. Amerika jo vetëm që erdhi në Kosovë si çlirimtare, por ishte edhe diçka mbi çlirimin, ishte mbrojtja e NJERIUT si qënie me vlerë.
Një aksion i NATO-s pa vendim të KS të OKB-së, ka rrezikuar edhe prishjen e rendit ndërkombëtar dhe luftën e III-të botërore.
Bombardimet kanë zgjatur 78 ditë dhe vetëm shpenzimet për kohën e bombardimeve shkojnë në 30 miliardë USD. Shpenzimet e tërthorta për menaxhimin e situatës humanitare ku rreth një milion shqiptarë kanë dalë jashtë Kosovës dhe pas luftës janë kthye prapë në Kosovë, kapin shuma marramendëse në dhjetëra miliarda dollarë. Të gjitha këto të paguara nga SHBA-të dhe Europa Perëndimore.
Shpenzimet tjera për rajonin e Ballkanit pas kësaj lufte shkojnë deri në 300 miliardë dollarë në 20 vite. Në anën tjetër vet Serbia gjatë bombardimeve është dëmtua materialisht 100 miliardë dollarë sipas të dhënave zyrtare ku Shteti i Serbisë ia ka fakturuar NATO-s.

Pra të dashur shqiponja, kur flasim sot për një bashkëpunim me SHBA-të, nuk përbën SERVILIZËM në asnjë rrethanë. Sepse Kosova sot nuk është Shtet i Pavarur vetëm për shkak të egos sonë për të qenë të fortë, për të qenë superfuqi. Kosova është ba SHTET si rezultat i të gjitha këtyre gjanave të përmendura më lartë nga faktori ndërkombëtar dhe gatishmëria e disa mijëra djemëve e vajzave shqiptare që ia dëshmuan botës që me një kallashnikov në dorë do të dalin kundër tanksave e aeroplanëve dhe do të luftojnë deri në vdekje për LIRINË. Prandaj edhe bota e civilizuar i doli në krah UÇK-së në rrugën e saj të drejtë për liri e dinjitet.

Kur dëgjojmë demokratët në SHBA tek kritikojnë republikanët apo administratën Trump për qasjen ndaj Kosovës, duhet ta dini që kjo është diçka e mirë edhe krejt në rregull, por kjo nuk përbën ndonjë mbështetje konkrete për ndonjë lider të caktuar në Kosovë për qasjen e tij apo saj.
Demokratët e Amerikës e kanë lluksin të bëjnë kritikë ndaj administratës aktuale në SHBA. Poashtu lobi ynë atje është shumë aktiv duke mbrojtur interesat tona siç duhet dhe aty ku duhet.
Liderët në Kosovë nuk e kanë as lluksin e as të drejtën të bëjnë diplomaci eksperimentuese në këtë rrafsh të politikës. Mbi të gjitha kanë përgjegjësi për qasjen, sepse një qasje me fodulizëm, mund të na shkakton dëme të rrezikshme.

Të thuash sot që pajtueshmëria me SHBA-të në një politikë rajonale ekonomike, përbën SERVILIZËM, është e cektë në mendim, e cektë në mbrojtje të SHTETIT të Kosovës. Ndërsa nga këndi i dipmomacisë nuk përbën fare diplomaci.
Kosova me një taksë shtesë apo me një masë ekonomike pa u pajtuar me SHBA-të ndoshta i mbledh diku 2 apo 3 milionë EURO më shumë në buxhet, një shumë simbolike që nuk përbën as zhvillim as strategji e as krenari. Përbën vetëm një vendim populist për llajka në facebook.
Ne nuk mund të shitemi sot si egoistët primitiv të mesjetës. Nuk përbën aspak civilizim, as vlerë e as diplomaci të veprosh sipas thënies së famshme shqiptare:
“E kceva lumin ta dhjefsha pelën”.

Kushdo që bën diplomaci me këtë qasje ka për ta humbur edhe lumin edhe pelën edhe vetëveten me gjithë primitivizmin e vet. Të jesh racional në politikë është minimumi që një lider i kohës së sotme do të duhej ta bënte.

Shëndet shqiponja!

Shkruar nga Driton Smakaj