Nëse më 2016 Thaçi nuk bëhet president, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme (Video)

E publikuar: 26/07/2015 20:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

I vetmi njeri që mund ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme është Hashim Thaçi, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës.

Ky ka qenë njëri nga vlerësimet e shumta që ka dhënë Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, rreth debatit të fundit dhe kërkesave të opozitës për zgjedhje të parakohshme.

Korenica thotë se pavarësisht mungesës së numrave në Kuvendin e Kosovës të koalicionit të dy partive më të mëdha, PDK-LDK, siç ishte rasti me gjykatën Speciale, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa nuk janë të interesuar që të ketë zgjedhje të parakohshme ose të jashtëzakonshme, raporton TV Dukagjini.

“As Thaçi e as Mustafa nuk janë të interesuar që këtë koalicion ta prishin, sepse nëse i hyjnë këtij procesi zgjedhor nuk do të dilnin me këto vota që i kanë aktualisht në Kuvend”, ka thënë Korenica.

Se zgjedhje të parakohshme mund të ketë vitin e ardhshëm, nuk e ka asnjë dilemë Finsik Korencia, në rast se ministri aktual i Punëve të Jashtme nuk do të mund të zgjidhej president i vendit pas përfundimit të mandatit të presidentes Atifete Jahjaga. /RTV Dukagjini/