Nëna e të vrarit te Parku i Qytetit: Vetëm pesë minuta vendoseni veten në vendin tim

E publikuar: 30/05/2018 20:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në gjykimin për vrasjen e dyfishtë të dy të rinjve Eron Agaj e Arianit Gashi, vrasje kjo që ka ndodhur te Parku i Qytetit në Prishtinë, në vitin 2016, në cilësi të dëshmitarëve janë dëgjuar nëna dhe vëllai i të ndjerit Eron Agaj, Sebahate Agaj e Ermal Agaj.
Dëshmitarja Sebahate Agaj është ftuar ne cilësi të dëshmitares për shkak se gjatë seancës së kaluar në të cilën i akuzuari e kishte dhënë mbrojtjen, gjatë deklaratës së tij ai e kishte përmendur një rast kur dy të ndjerët e kishin ftuar të akuzuarin të shkonte në shtëpi të Eron Agajt, që sipas tij pastaj ia kishin marrë edhe veturën.

Gjatë dhënies së mbrojtjes i akuzuari kishte thënë se në ballkon kishte dalë nëna e të ndjerit Eron Agaj, Sebahate Agaj dhe u kishte thënë ta linin të lirë të akuzuarin.

“Mosni djalin se gjynah”, ka deklaruar i akuzuari t’u kishte thënë Sebahate Agaj, Eronit dhe Arianitit. Kurse për Eronin, i akuzuari kishte deklaruar se ai nënës së tij i ishte përgjigjur se ata i dinë punët e veta.

Dëshmitarja Sebahate Agaj kur u pyet nga kryetarja e trupit gjykues nëse ajo e njihte apo e kishte parë ndonjëherë të akuzuarin, ajo u përgjigj se të akuzuarin nuk e njihte dhe nuk e kishte parë asnjëherë por që vetëm kishte dëgjuar për të nga djali i saj Eroni.

“Kam dëgjuar kur më ka treguar Eroni. Ky nuk ka ardhur asnjëherë në shtëpi te unë, as me e pa nuk e njoh”, u përgjigj dëshmitarja.

Ajo tha se atë natë me bashkëshortin ishin kthyer nga pushimet dhe se me të hyrë në shtëpi, djali i saj Eroni i cili kishte qenë shumë i stresuar i kishte thënë se ai ia kishte huazuar disa para Lulzim Idrizit por tash ai nuk po ia kthente.

“Kur jemi kthy prej pushimit në mbrëmje hala pa hy në shtëpi, i thash çka ke bo djali jem? Më tha nanë ja kam dhënë dikujt do pare, paret e kompjuterëve ia kam dhënë njanit. I thash Eron kujt ia ke dhënë ato para? Më tha: një djalit të Shqipërisë. I thash a nuk pate kurrkujt tjetër por atij me ia dhanë? Kush është ai? Më tha njëfarë Luli. E kam sjell kryet, i kam thënë me sa mend ia ke dhënë dhe kam hy brenda. Asnjëherë as nuk e kam parë dhe as që dua kurrë fytyrën t’ia shoh”, tha nëna e të ndjerit Eron Agaj, Sebahate Agaj.

Në fund të dëshmisë së saj dëshmitarja Sebahate Agaj kërkoi nga Gjykata që të sjellë drejtësi për vrasjen e dy të rinjve.

“Drejtësia le të punon. Vetëm një pesë minutësh vendoseni vetën se ku jam unë dhe nëna e Arianitit se çdo ditë po ndodhin këto raste me të rinjtë edhe zonjës avokate që ka ardhur për ta mbrojtur të akuzuarin le ta vendos veten në pozitën tonë se edhe kjo ka fëmijë”, u shpreh dëshmitarja.

Për të dëshmuar përsëri ishte ftuar edhe vëllai i Eron Agajt, Ermal Agaj, i cili nga trupi gjykues u pyet në lidhje me takimet që ky i njëjti i kishte pasur me të akuzuarin.

“Me Lulzim Idrizin jam takuar dy herë. Herën e parë në mëhallë, ka qenë një bilardo aty dhe takimi ka qenë i rastësishëm. Ndërsa herën e dytë jam takuar te Parku, kam qenë me Muhamer Raifin”, tha ai.

Dëshmitari tha se asnjëherë nuk e kishte rrahur të akuzuarin ashtu siç ka deklaruar ai gjatë dhënies së mbrojtjes dhe se nuk e njeh fare personin me emrin Emiliano, të cilin i akuzuari e ka përmendur gjatë mbrojtjes. Sipas dëshmitarit i akuzuari i ka trilluar ata persona dhe emra.

“Unë Emilianon nuk e njoh, as kurrë s’e kam parë, asnjëherë nuk ka qenë prezent. Asnjëherë nuk e kam rrahur Lulzim Idrizin, asnjë shuplakë nuk ka ndodhur, as unë as Eroni me ia jep Lulzim Idrizit”, tha dëshmitari.

Ai po ashtu shtoi se sipas tij po ta kishte rrahur ai të akuzuarin atëherë ajo do të mund të dëshmohej pasi që tha se takimi i tyre kishte ndodhur po në të njëjtin vend ku edhe ka ndodhur vrasja e dy të rinjve dhe se kjo do të mund të dokumentohej me anë të kamerave.

“Nuk ka ndodhur sepse është aty vendi ku janë vrarë Eroni dhe Arianiti dhe aty ka pasur kamera. Asnjëherë nuk e kam rrahur as te parku e as në bilardo nuk ka pasur rrahje asnjëherë nuk ka pasur rrahje në mes meje dhe Lulzimit e Arianitit. Dhe Gerti e Emiliano për mua janë persona të panjohur, Lulzimi bashkë me avokaten i kanë shpik”, deklaroi dëshmitari.

Kurse mbrojtësja e të akuzuarit Lulzim Idrizi, avokatja Aurora Mulhaxha, dëshmitarin e ballafaqoi me deklaratën e tij të dhënë më herët po në këtë shqyrtimin gjyqësor.

Ajo dëshmitarin e pyeti për shumën të cilën ai kishte deklaruar se i akuzuari ia kishte pasur borxh vëllait të tij.

“Lulzim Idrizi a i ka pasur borxh 1.300 euro apo 1.500 euro”, e pyeti ajo dëshmitarin.

Për çka dëshmitari tha se i akuzuari i kishte pasur borxh 1.300 euro.

Më pas ajo dëshmitarin e pyeti për arsyen se pse ai në dëshminë e tij kishte thënë se i akuzuari kishte pasur që t’ia kthente vëllait të tij shumën në vlerë prej 1.500 eurove.

Kurse dëshmitari tha se arsyeja kishte qenë për shkak se në këtë mënyrë ishin marrë vesh vëllai i tij Eroni me të akuzuarin. “Arsyeja ka qenë se kur kanë bërë marrëveshjen Lulzimi me Eronin, Lulzimi ka pasë për obligim me i kthy 1.500 euro edhe pse borxhi ka qenë 1.300 euro”, deklaroi dëshmitari.

Seanca e radhës është caktuar më 4 qershor me ç’rast do të jepet edhe fjala përfundimtare./Kallxo.com